Në dosjen e vendimit për të lënë në arrest me burg ish kryebashkiakun e Durrësit gjyqtari i GJKKO-së Erion Bani ka argumentuar pse duhej firmosur masa e sigurisë “arrest me burg” për Vangjush Dakon dhe 6 personave të tjerë nën hetim.

Masa e sigurisë ‘arrest me burg” u konsiderua e tepërt dhe vendim i marrë nën presionin e ndërkombëtareve dhe medias e politikës por gjyqtari në argumentet e tij thotë se duhej siguruar që ish kryebashkiaku të mos largohej apo të fshihej por ti nënshtrohet dënimit kur vendimi të jetë i formës së prerë. Gjithashtu në dosje thuhet se janë injoruar problemet sizmike duke vënë në rrezik jetën e banorëve.

Në faqen 73 dhe 74 të vendimit të GJKKO-së që datës 6 qershor ndër të tjera shkruhet: Në rastin konkret, Gjykata mban parasysh faktin se vepra penale është kryer në rrethana rënduese sikurse është kryerja e veprës penale “duke shpërdoruar funksionin publik” dhe e kryer në “bashkëpunim” parashikuar nga neni 50 gërma “dh” dhe “gj” të Kodit Penal. Gjithashtu, Gjykata mban parasysh pasojat që kanë ardhur në rastin konkret, që është rrezikimi i jetës së banorëve, të cilët kanë jetuar në objektin që është legalizuar me leje ndërtimi dy vite pasi ai është ndërtuar, i cili për shkak të tërmeti është bërë i pabanueshëm si rrjedhojë e problemeve sizmike që u injoruan nga personat nën hetimi në zbardhjen e lejes së ndërtimi, falsifikimi të dokumenteve dhe kolaudimit të tyre edhe pse ishin në dijeni nga dokumentacioni teknik. Kjo shton rrezikshmërinë e faktit dhe të autorëve në rastin konkret.

Po ashtu, Gjykata, vlerëson se në çështjen objekt gjykimi, duke pasur parasysh sanksionin e veprës penale dhe prirjen normale dhe natyrore të çdokujt për gëzimin e lirisë personale ka vend për të dyshuar racionalisht se, personi nën hetim ka nevojë të sigurohet, për t’i caktuar një masë sigurimi personal, për të garantuar vijimësisht prezencën e të dyshuarit në procedimin penal në ngarkim të tij, si për të siguruar normalitetin e hetimit dhe të gjykimit në çështjen në ngarkim të tij, dhe për të siguruar që ai të mos largohet, te fshihet por t’i nënshtrohet ekzekutimit (vuajtjes) së dënimit kur vendimi i dënimit të ketë marrë formë të prerë.

Ndodhur në këto kushte, Gjykata vlerëson se për personat nën hetim Vangjush Dako, Adhurim Qehajaj, Ermal Lama, Fatmir Ejupi, Adrian Bulku, Fiqiri Farruku dhe Adnand Aqif Toçila masa më e përshtatshme që arrin të sigurojë nevojat e procedimit penal të nisur, për të garantuar mospërsëritjen e së njëjtës vepër penale, largimin si dhe për të garantuar ekzekutimin e dënimit me burgim që mund të caktojë gjykata e themelit në rastin konkret, për shkak të rrezikshmërisë së veprës dhe autorit në rastin konkret, është ajo e “Arrestit në burg” parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale.”
Për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” ligji parashikon një dënim deri në 7 vjet burg gjë që paraqet rrezikshmëri të lartë shoqërore.