Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro informoi sot se ka hyrë në fuqi një vendim i Këshillit të Ministrave që bën të detyrueshëm organizimin e stacioneve të ankorimi dhe të bregëzimit, të cilat janë stacione njësoj si stacionet e plazhit në rërë.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale Kumbaro tha se “janë stacione për të grumbulluar dhe parkuar të tilla mjete me kritere shumë të forta kontrolli. Ne kemi bërë thirrje në mënyrë të vazhdueshme që operatorët turistikë detarë , të cilët ushtrojnë një aktivitet ekonomik të tillë të paraqiten dhe vetëm dhe brenda vetëm këtyre kushteve mund të lidhen kontrata për parkimin e tyre”.

Gjithashtu, vijoi Kumbaro, kemi bërë të zbatueshme kriteret për atë që quhet certifikatë e operatorit turistik detar.

“Pra, jo kushdo mundet tashmë të ushtrojë një aktivitet të tillë ekonomik. Në kohën që flasim, mbi 56 operatorë janë të certifikuar brenda harkut të një viti, të cilat janë të kontrollueshëm dhe askush tjetër përveç këtyre operatorëve të certifikuar nuk e ka të drejtën. Masat, gjobat do të jenë shumë të rrepta për ata që ushtrojnë një aktivitet të tilla jashtë kritereve të përcaktuar. Ka filluar që vitin e kaluar, pra që në shtatorin e ka kaluar kontrolli për të gjithë këta operatorë”, nënvizoi Kumbaro.

Ministrja Kumbaro u shpreh se “edhe në kohën që flasim kontrollet janë shumë të rrepta për të parandaluar, por edhe për të pasur një njohje sa më të mirë të bregdetit lidhur me operatorët që e ushtrojnë”.

Kumbaro tha se “sezoni veror ka nisur i mbarë, por vazhdojmë të shfrytëzojmë çdo hapësirë informimi për të rikujtuar edhe një herë detyrimet që duhen zbatuar lidhur me:
certifikimet e operatorëve turistikë detarë, të cilët duhet të pajisen me dokumentacionin e nevojshëm sepse në të kundërt nuk do të lejohen nga Policia e Kufirit të ushtrojnë veprimtarinë; vijimin e aplikimeve në Agjencinë Kombëtare të Bregdetit për stacionet e bregëzim/ankorimit për mjetet lundruese, të cilat do të kenë korridore të qarta të lëvizjes dhe vende të përcaktuara qëndrimi si dhe detyrimin e të gjithë subjekteve që menaxhojnë përkohësisht parcelat e plazheve, të kenë të kontraktuar patjetër vrojtuesin e plazhit”.