Pritjes i erdhi fundi. Sonte në mbrëmje duke nisur nga ora 21:00 luhet finalja e Champions League kompeticionit europian më të rëndësishëm për klube mes Manchester City dhe Interit. Stadiumi Ataturk është gati për shfaqjen e madhe të futbollit dhe Europa do të njihet me Mbretin e ri. Skuadrat dje i kanë dhënë edhe dorën e fundit përgatitjeve dhe janë të etura për sukses. Anglezët e Pep Guardiolës janë në kërkim të “tripletës” këtë sezon por mbi të gjitha në kërkim të trofeut të parë me veshë të mëdhenj. Edhe mbrojtësi Waker është stërvitur me grupin dhe Pep Guardiola i ka të gjithë në dispozicion e do të luajë me formacionin më të mirë duke pritur më së shumti gol nga Haaland golashënuesi më i mirë i kompeticionit.

“Champions League është një ëndërr, ndiej fluturat në stomak por duhet ekuilibër pasi Interi është një skuadër që mbrohet mirë” ka thënë tekniku spanjoll në konferncën përpara sfidës.

Aspak i bezdisur nga roli i jo favoritit Interi fitues tre herë i Champions është i bindur që mund të përsërisë suksesin e fundit të arritur në vitin 2010-tën. Skuadra është në formë të mirë dhe dje ka zhvilluar edhe seancën stërvitore në stadiumin e ndeshjes e trajneri Inzaghi duket se nuk ka dilema për formacionin me Dzeko që do e nisë si titullar e jo Lukaku dhe Brozovic nga minuta e parë e jo Mkhitaryan. Timonieri i zikaltërve e ka recetën se si munden anglezët:

“Do të luftojmë në cdo centimër të fushës. Na duhen këmbë të freskëta, kokë e kthjellët dhe zemër”.

Mijëra tifozë të anglezëve dhe italianëve kanë mbërritur në Stamboll dhe entuziazmi është në maksimum. Edhe tifozë nga Shqipëria kryesisht në Interit priten sot në stadium. Europa por jo vetëm kanë kthyer sot sy e veshë nga Stambolli aty ku do të përcaktohet Mbreti i ri i Europës në futboll. Manchester City-Inter premton spektakël dhe është një sfidë e gjitha për t’u shijuar.