Kryeministri Edi Rama, në episodin e 9-të të podcastit ‘Flasim’ kishte të ftuar tre sipërmarrës të cilët kanë krijuar tre destinacione speciale në Shqipëri, Mrizit të Zanave, Kazermës së Cerenit dhe Fustanellës, të cilët kanë një histori si çdokush personale, por një histori të lidhur me emigrimin.

Në fjalën e tij kryeministri Rama, i cilësoi ata si tre njerëz që pasi kanë marrë detet, janë rikthyer dhe kanë hapur tre rrugë të reja për t’u eksploruar, rrugë krejt të veçanta të shijes, të shijes shqiptare. Ata janë Johana, Altini dhe Ismeti.

‘Tre njerëz që pasi kanë marrë detet, janë rikthyer dhe kanë hapur tre rrugë të reja për t’u eksploruar, rrugë krejt të veçanta të shijes, të shijes shqiptare; Johana, Altini dhe Ismeti. Ismeti i kthyer nga Anglia, Altini i kthyer nga Italia, Johana e kthyer nga Greqia; Johana e Fustanellës në Petrelë, Altini i Mrizit i themi ne, i Mrizit të Zanave në Lezhë dhe Ismeti i Kazermës Cereni, më e fundit Kazerma, por më parë i Cerenit, katunari im nga Surreli.’- tha Rama.

Kryeministri u shpreh se Shqipëria turistike nuk mund të jetë në asnjë mënyrë vetëm bregdet dhe në asnjë mënyrë vetëm maja mali për t’u arritur nga ata që kanë pasion alpinizmin.

“Shqipëria turistike duhet patjetër të jetë edhe shije që ka të bëjë me kuzhinën, që ka të bëjë me folklorin, që ka të bëjë me artin tradicional, që ka të bëjë më shtigjet e kulturës dhe që ka të bëjë me gjënë kryesore që është diversiteti i jashtëzakonshëm i peizazhit, domethënë është shumë, shumë e rrallë që në një vend kaq të vogël ti të gjesh kaq shumë gjëra në një distancë kaq të shkurtër, që nga maja e maleve me borë deri tek dy dete. Shqipëria ka dy dete. Lumenj, lugina, kodra fantastike dhe nga ana tjetër agroturizmi është edhe përgjigje në një aspekt tjetër, në aspektin e jetës ekonomike të pikave apo të zonave ku nuk ka bujqësi intensive”, u shpreh Kryeministri.

Sipas tij, nxjerrja në pah e çdo gjëje që natyra, fshati, etnoushqimi, etnokultura ka, është pa diskutim sukses

“Sepse në një botë ku turizmi është një industri që zhvillohet në mënyrë eksponenciale me pasurimin e Kinës, me pasurimin e Indisë, me pasurimin e vendeve afrikane, po rriten çdo vit me miliona turistët, çfarë kërkojnë këta? Këta do kërkojnë gjithmonë më shumë të gjejnë në çdo vend, atë që s’e gjejnë në një vend tjetër”, theksoi ai

Rama vuri në dukje se agroturizmi sot është një sukses

“Ne kemi rreth 200 agroturizme sot, nga thuajse asnjë, jo thuajse, po s’kishim asnjë agroturizëm dhe numri i turistëve që janë akomoduar aty ose kanë kaluar aty për të ngrënë, është i frikshëm që tregon se ju fitoni më shumë se ç‘deklaroni, por kjo është temë tjetër”, tha Rama.