Kriza humanitare në Ukrainë është “jashtëzakonisht më e keqe” pas prishjes së digës Kakhovka: tha kreu i Çështjeve Humanitare të OKB-së, Martin Griffiths, siç raporton Guardian.

Ukraina, nënvizoi zyrtari i lartë, po përballet me një situatë humanitare “jashtëzakonisht më të keqe” se në të kaluarën pas rënies së digës.

Griffiths komentoi se 700,000 njerëz kanë nevojë për ujë të pastër dhe se përmbytja e tokës bujqësore në një nga ‘hambarët’ më të mëdhenj në botë do të shkaktojë një “kaskadë problemesh”, duke përfshirë reduktimin e eksporteve të drithërave, rritjen e çmimeve globale të ushqimit dhe uljen e disponueshmërisë së ushqimit për miliona njerëz në nevojë.

“Gjatë operacioneve të evakuimit, trupat ruse qëlluan përsëri në qendrën rajonale” të Khersonit, “për pasojë tre persona u plagosën, mes tyre një vajzë e mitur”. Kështu shkruan në Telegram Prokuroria e Përgjithshme e rajonit Kherson, duke iu referuar një sulmi me bombë pasditen e së premtes.

“Infrastruktura civile është dëmtuar. Prokurorët, së bashku me hetuesit policorë, vazhdojnë të marrin të gjitha masat e nevojshme për të dokumentuar krimet e luftës të ushtrisë ruse,” vazhdon ai.