Gjatë inspektimit në këtë qendër, Ministrja e Shëndetësisë apeloi për dhurimin vullnetar të gjakut, si domosdoshmëri në këtë periudhë

Tiranë, 2 Qershor –  Pas përfundimit të fazës së parë të investimit në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, ka nisur puna për fazën e dytë, për rikonstruksionin e plotë të godinës.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka inspektuar vazhdimin e punimeve për rehabilitimin e parë dhe të plotë të Qendrës së Gjakut, pas më shumë se katër dekadash.
“Jemi në një fazë të dytë të rehabilitimit të Qendrës Kombëtare të Tranfuzionit të Gjakut, një qendër e cila ka një rëndësi në nivel kombëtar, pasi bën të gjithë organizimin dhe menaxhimin e rezervës së gjakut. Jemi në një proces rehabilitimi tërësor të kësaj strukture, ku prej vitesh nuk ishte venë dorë. Po punojmë për të përfunduar të gjithë fazën e dytë të investimit përsa i përket laboratorve, që nga faza e përpunimit deri tek faza e ndarjes së komponentëve të gjakut dhe gjithashtu duke vendosur që të kemi një riorganizm të të gjithë sistemit laboratorik dhe aparatura të reja që i shërbejnë kësaj strukture”,- tha Manastirliu.
Gjatë inspektimit në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, Ministrja Manastirliu foli edhe për digjitalizimin e bankave të gjakut.
“Sistemi elektronik që tashmë është bërë operacional dhe me rehabilitimin dhe vendosjen në funksion edhe të aparaturave në këtë strukturë qendrore që do të menaxhojë të gjithë rezervën e gjakut, në kohë reale nëpërmjet sistemit elektronik, ne do kemi informacion sa është rezerva për gjak sipas grupeve të gjakut dhe sipas te gjithë atyre elementeve që kanë të bëjnë me masat trombocitare dhe nevojën që ka furnizimi në rang vendi. Nga ana tjetër , do të na sigurojë atë që është parësore: Më shumë siguri, më shumë cilësi”,- u shpreh Manastirliu.
Duke e konsideruar një nevojë për të prekurit nga talasemia, Manastirliu apeloi për dhurim vullnetar të gjakut.
“Një apel për të gjithë ata që na dëgjojnë, gjaku nuk është një produkt që blihet, por është një produkt i cili dhurohet. Ne të gjithë së bashku duhet të jemi të angazhuar që të gjithë ata që kanë mundësi që t’i bashkohen të gjithë zhinxhirit të njerëzve që janë  në rrjetin e dhuruesve vullnetarë, të na bashkohen për të dhuruar gjak sepse vetëm me 10 minuta, ne shpëtojmë 3 jetë. Ndaj unë dua t’i ftoj të gjithë edhe në këtë muaj, në qershor për të vijuar dhe për t’u angazhuar të gjithë së bashku në dhurimin vullnetar të gjakut, për të vijuar këtë fushatë e cila është një fushatë e përditshme, sepse nevoja për gjak është një nevojë e cila duhet përbushur”,- tha Manastirliu.
Rikonstruksion i plotë i godinës së Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, pajisje të teknologjisë së lartë, digjitalizimi i plotë i zinxhirit dhurues-pacient në QKTGJ dhe Bankën e Gjakut,  automatizim i mëtejshëm në testim dhe përpunim, centralizim i mëtejshëm i shërbimeve me qëllim shmangien e gabimit njerëzor dhe sigurimin e cilësisë maksimale të gjakut dhe komponentëve; do të behen të mundura falë investimit që pritet të përfundojë brenda këtij viti në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut.
Investimi i ri do të mundësojë ngritjen e një qendre dinjitoze dhe bashkëkohore të cilësisë të lartë në dhurim, testim, përpunim, ruajtje dhe shpërndarje, me qëllim arritjen e një standardi europian të cilësisë.
Nëpërmjet një sistemi menaxhimi të integruar informatik i gjithë regjistri i dhuruesve të gjakut do të jetë online.