Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi bëri me dije sot disa ndryshime që vijnë me kontratën e re kolektive të punës për punonjësit e arsimit parauniversitar, e cila u nënshkrua sot nga me Federatën e Sindikatave të Arsimit dhe Shkencës së Shqipërisë dhe Sindikatën e Pavarur të Arsimit të Shqipërisë.

Pas negociatave finalizuara me sukses znj. Kushi, nëpërmjet një postimi bëri të ditur disa nga risitë në interes të mësuesve por edhe të nxënësve, të cilat vijnë me këtë kontratë të rinovuar.

“Tashmë çdo mësues që plotëson moshën për pension pleqërie, pavarësisht nëse është fillim apo fund i vitit shkollor, mund të vazhdojë punën deri në përfundim të periudhës mësimore, e cila zgjat mesatarisht 3 muaj. Kjo risi do t’u sjellë nxënësve fillimin dhe përfundimin e mësimit të një tremujori me të njëjtin mësues, si një faktor pozitiv për zhvillimin psiko-social të nxënësve dhe rezultate më të mira në mësimnxënie” – thekson ministrja .

Ndërkohë, Mësuesit e cilësuar si “invalidë pune”, do ta kenë në përputhje me vendimin e KMCAP jo vetëm ngarkesën mësimore, por dhe kohën e qëndrimit në punë.
Për sa i përket normës mësimore të reduktuar nga 6-8 orë në javë, atë e përfitojnë edhe Kryetarja e Komisionit të Gruas dhe Kryetari i Komisionit të Rinisë në nivel kombëtar.

Ministrja Kushi thekson se për herë të parë Kontrata Kolektive e Punës mbështetet në standardet e Bashkimit Evropian dhe praktikat e mira të OECD, duke e përafruar këtë kontratë me kontratat e vendeve të BE.