Jakin Marena

Ka disa orë që është bërë publik arrestimi i ish kryetarit të Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, dhe opozita ka reaguar me ‘pikatore”.

Duhej që ditën e sotme opozita, e cila ka gati 15 vite që kërkon arrestimin e ish kryebashkiakut të Durrësit, të kishte nisur ‘vallen’ që nga selia buzë Lanës e deri tek Drejtoria e Policisë së Tiranës, po buzë Lanës, për të festuar arrestimin e kundërshtarit më të madh në qytetin bregdetar, i cili është akuzuar se ua ka vjedhur në të gjitha rastet votat.

Asgjë nuk ndodhi nga këto elementë, madje as nuk u shprehën si duhet publikisht për arrestimin e njërit prej kundërshtarëve më të mëdhenj. Siç duhej të gëzonte çdo opozitë të cilës i kishte rënë ‘bretku’ dhe dalë ‘goja pas shpine’ duke e akuzuar dhe kërkuar futjen e tij në burg.

Tani që u arrestua dhe u mbyll në qeli Dako, opozita mbahet pas tenknicialiteteve, procedurave dhe gjërave anësore, duke treguar se nuk e ka pritur aspak mirë arrestimin e ish kryebashkiakut të Durrësit.

Ka reaguar në fillim kreu i këshillit kombëtar të “Rithemelimit” Edi Paloka, i cili më shumë sa sa për arrestimin e Dakos, foli për skenarin se si u vu në pranga ai, kush urdhëroi dhe gjëra të tjera të këtij lloji. Duke akuzuar Edi Ramën dhe Yuri Kim. Asgjë më tepër.

Pas tij del vetë Sali Berisha, kreu i “Rithemelimit”, njeriu që ka lëshuar më shumë akuza ndaj Dakos dhe që duhej të gëzonte vërtetë me të madhe për arrestimin e tij.

Në vend që të mbante një qëndrim siç mund të mbajë një lider i një subjekti apo dhe grupimi politik, Berisha nuk ka folur me fjalët e tij, por ka bërë një deklaratë duke u fshehur pas “qytetarit dixhital”, I cili i paska thënë se urdhërarresti është prerë që të premten, por që kishin qënë të zënë me ‘arrendimin’ e qelisë në Durrës, ndonëse Dako është vetëdorëzuar në Tiranë dhe po pyetet në Drejtorinë e Policisë së kryeqytetit.

Dhe këtë fshehje e bën pikërisht Berisha, njeriu që e ka kërkuar më shumë arrestimin e Dakos, duke reflektuar në publik se jo vetëm që nuk e ka gëzuar arrestimi i Dakos, por me sa duket e ka trembur shumë.

E themi këtë pasi Berisha ka disa akuza në kurriz, dhe ngritja e “stekës” së arrestimeve dhe tek ata që mendohen në majën e mbështetjes së pushtetit, duke treguar se SPAK e ka seriozisht në dhënien fund të pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë, dhe këtë arrestim me sa duket e sheh dhe si një ngushtim laku për vetë atë, kreun e “Rithemelimit”.

Pasi ka disa koncidenca të ‘rrezikshme’ që shkojnë në favor të asaj që konstatojmë, frikën që ndjen Berisha nga arrestimi i Dakos.

Fjala është për objektin e hetimit ndaj Dakos, që bën fjalë për një shkelje me lejen e ndërtimit të vitit 2011, pikërisht në atë vit kur Sali Berisha, kryeministër asokohe, bëri gjëmën e madhe: Më 21 janar 2011 urdhëroi Gardën e Republikës për të vrarë 4 demonstrues të opozitës së atëhershme. Dhe ku çështja është nën hetim, pasi vrasja e Aleks Nikës është pa autor.

Kjo e ka frikësuar me sa duket Berishën, pasi SPAK po operon dhe në thellësi me hetimet, dhe është pikërisht në “vitin e Berishës”, dhe që mund të preket. Pa përmendur kallzimet e tjera penale që Berisha ka në SPAK dhe që janë nën hetim.Ndaj ka një heshtje thuajse “mortore” tek opozita dhe lidershipi i saj. Me sa duket nuk do ketë parashkrim krimesh, dhe të gjithë do kalojnë nën hetimin e SPAK. Berisha e ndjen veten të zbuluar dhe të pambrojtur në këtë rast. Të shohim.