Robert Hanssen, një ish-agjent i FBI-së, i cili mori më shumë se 1.4 milionë dollarë para në dorë dhe diamante, për t’i shitur informacione sekrete Moskës e Bashkimit Sovjetik, në një nga rastet më famëkeqe të spiunazhit në historinë amerikane, ka ndërruar jetë në burg.

Robert Hanssen, 79 vjeç, vdiq në qelinë e tij në një burg federal në Florence të shtetit Kolorado, thanë zyrtarët e burgut.

Ai besohet të ketë vdekur për shkaqe natyrore, tha një person i njohur me këtë çështje për Associated Press.

Hanssen kishte dhënë një mori informacionesh rreth mbledhjes së inteligjencës amerikane, duke përfshirë detaje të gjera se si zyrtarët amerikanë kishin përgjuar operacionet e spiunazhit rus, të paktën që nga viti 1985.

Ai besohej se ishte pjesërisht përgjegjës për vdekjen e të paktën tre oficerëve sovjetikë që punonin për inteligjencën amerikane dhe u ekzekutuan pasi u ekspozuan.

Ai mori më shumë se 1.4 milion dollarë në para, fonde bankare, diamante dhe ora Rolex në këmbim të ofrimit të informacionit shumë të klasifikuar të sigurisë kombëtare për Bashkimin Sovjetik dhe më vonë Rusinë.

Ai nuk adoptoi një mënyrë jetese dukshëm luksoze, përkundrazi jetonte në një shtëpi modeste periferike në Virxhinia me familjen e tij prej gjashtë fëmijëve dhe ngiste një Taurus dhe udhëtonte me minibus.

Hanssen më vonë tha se ai ishte i motivuar nga paratë dhe jo nga ideologjia.

Duke përdorur pseudonimin “Ramon Garcia”, ai i kaloi rreth 6,000 dokumente dhe 26 disqe kompjuteri te mbajtësit e tij, thanë autoritetet. Ata detajuan teknikat e përgjimit, ndihmuan në konfirmimin e identitetit të agjentëve të dyfishtë rusë dhe zbuluan sekrete të tjera.

Zyrtarët besuan gjithashtu se ai e informoi Moskën për një tunel sekret që amerikanët ndërtuan nën ambasadën sovjetike në Uashington për përgjim.

Ai ishte dënuar me burgim të përjetshëm pa mundësi lirimi me kusht që nga viti 2002, pasi u deklarua fajtor për 15 akuza për spiunazh dhe akuza të tjera.

FBI është njoftuar për vdekjen e Hanssen, sipas Byrosë së Burgjeve.