Leku ka vazhduar të forcohet edhe sot në tregun e këmbimit valutor, duke krijuar rekorde të reja negative, jo vetëm për euron, por tashmë edhe për dollarin që preku nivelin më të ulët që prej vitit 2011.

Kursi zyrtar i Bankës së Shqipërisë tregon se një euro këmbehet sot mesatarisht për 106.95 lekë, duke humbur thuajse gjysmë leku brenda një dite. Pritshmëritë e agjentëve të tregut për ecurinë e dobët të valutës europiane po shkaktojnë një zhvlerësim të fortë ndaj lekut, veçanërisht pas nisjes së qershorit.

Dollari amerikan ndërkohë këmbehet për 99.9 lekë, duke zbritur nën 100 lekë, diçka që nuk ndodhte që prej 12 vitesh.

Edhe paundi britanik dhe franga zvicerane, ndër valuta të tjera, pësuan rënie ndaj lekut.