Policia e Serbisë ka arrestuar në shtëpinë e tij në Nesalcë, Jetmir Ismailin, drejtor i Shtëpisë së Kulturës në Bujanoc. Ai lejoi shfaqen e një filmi nga shqiptar të financuar nga Qeveria e Kosovës dhe Këshilli Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës.

Ndaj këtij veprimi të shtetit serb ka reaguar Nevzad Lutfiu, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës, sipas të cilit, aktualisht, i arrestuari Ismaili është duke u mbajtur në stacionin policor në Bujanoc.

“Sipas familjarëve, ai është marrë në stacionin policor për tu intervistuar rreth shfaqjes së një filmi të metrazhit të shkurtër, i cili është mbështetur nga Qeveria e Kosovës nëpërmjet Këshillit Kombëtar Shqiptar e që drejtori i Shtëpisë së Kulturës në Bujanoc, i ka dhënë leje që të bëhet promovimi i tij nesër, po në Shtëpinë e Kulturës në Bujanoc”, shkruan Lutfiu.

Ai tha se ky presion dhe këto metoda ndaj shqiptarëve po dëshmojnë se Serbia nuk e dëshiron paqen dhe të ardhmen në Ballkan.

“Skenarët me presione të tilla ndaj institucioneve dhe ndaj shqiptarëve janë të papranueshme dhe ftojmë të gjithë faktorët kombëtarë e ndërkombëtar që të dënojnë këtë veprim të policisë serbe sidomos ndaj rasteve të tilla e sidomos ndaj rastit të sotshëm.”

Po ashtu për arrestimi ka reaguar edhe nga Kosova. Blerim Vela, shef i kabinetit të presidentes Vjosa Osmani, në një postim në Twitter, ka shkruar se ky arrestim ka ndodhur nga represioni i egër prej regjimi të Vuçiqit.

“Policia e Serbisë arrestoi kreun e Shtëpisë së Kulturës në komunën e Bujanocit, Jetmir Ismaili, një shqiptar vendas për lejimin e shfaqjes teatrale të financuar nga institucionet e Kosovës”, shkroi Vela.