Simone Inzagi ka dhënë konferencën e tij të parë në javën e finales gjatë “UEFA Open Media Day”, ku është ndalur në një sërë temash që prekin Interin e tij në prag të përballjes me Mançester Sitin. Nga respekti për Guardiolën te forca e grupit zikaltër, trajneri nuk është fshehur dhe ka paralajmëruar se në Stamboll do të shohim një Inter të vëmendshëm, por pa frikë.Inzagi

Cili ishte momenti kur kuptuat se mund të kalonit në finale?

Pasi pamë shortin i thamë njëri-tjetrit që mund të bënim mirë. Rrugëtimi gjithsesi nuk mendoj se ka nisur me Bajernin dhe Barcelonën, por që vitin e kaluar. Në mendjen time dhe të djemve, katër ndeshjet me Realin dhe Liverpulin që pastaj ishin finalistë, kanë mbetur në mendjen tonë.

Çfarë emocioni ndieni? A është ndeshja më e rëndësishme e karrierës?

Kemi punuar shumë për të mbërritur këtu dhe vazhdojmë ta bëjmë, momentalisht po mendojmë vetëm të përgatisim sa më mirë ndeshjen, në të cilën skuadra ime ka shkuar me meritë absolute. Askush nuk ka luajtur më herët në një finale nga gjithë skuadrat dhe ky është shpërblimi i një rrugëtimi të gjatë dhe të ndërlikuar.

Nëse e themi në përqindje, sa shanse keni për triumf?

Unë nuk jam shumë i mirë në përqindje. Ne po luajmë kundër skuadrës më të fortë në botë që ka fituar Premier League pesë herë në gjashtë vjet. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe të luajmë si ekip sepse e dimë se do të përballemi me më të mirët. Janë një skuadër fantastike me një trajner që ka shënuar një epokë dhe që është më i miri në botë.

Çfarë kujtimesh keni nga sfidat kundër Guardiolës?

Kam takuar Guardiolën si lojtar dhe kam një episod interesant. Në muajin tim të mjaltit pas dasmës, në Nju Jork ishte një person i ulur në tavolinë, në 2019-ën. Ishte ai, e takova aty.

Ka Siti presionin e tripletës dhe mund t’u avantazhojë ju fakti që ata nisen favoritë?

Do të shohim, është e vështirë të parashikohet. Është një ndeshje shumë e rëndësishme për të dyja klubet, akti i fundit i kompeticionit më të rëndësishëm. Siti e ka ndjekur prej vitesh këtë trofe, ne kemi bërë hapa të mëdhenj. Kemi kaluar shumë sfida, derbi i fundit. Do të mundohemi të bëjmë një ndeshje të madhe duke ditur se çfarë na pret.

Dyshimi Lukaku-Xheko. A keni vendosur tashmë?

Jo, as atje dhe as në repartet e tjera. Për momentin kam mundësi të zgjedh. Në pjesën e parë të sezonit nuk pata të njëjtën mundësi për të alternuar lojtarët. Kanë mbetur edhe katër seanca stërvitore dhe pavarësisht se një trajner mund të ketë ide, shumë herë ndryshohet mendimi, në mbrëmje dhe në mëngjes e mendon ndryshe.

Cilat janë cilësitë e Interit?

Në ndeshjet e rëndësishme, pavarësisht mungesës së disa lojtarëve, të gjithë kanë bërë më të mirën e tyre. gjithë skuadra është treguar shumë e zonja për të marrë maksimumin në momentin më të vështirë.

Sa e rëndësishme do të jetë të filloni ndeshjen fuqishëm?

Themelore, e kemi parë. Është një aspekt shumë i rëndësishëm. Ne e dimë që Siti e nis në maskimum dhe duhet të jemi shumë të vëmendshëm dhe të përqendruar në këtë aspekt. Duhet të jemi shumë mirë.

Nëse Guardiola është më i miri në botë, ju jeni i mbijetuari? Nga çfarë frikësoheni?

Nga asgjë, po flasim për futboll. Guardiola është më i forti, kam vetëm respekt për të, por jo frikë. Jemi krenarë që luajmë në finale sepse e donim me të gjitha forcat këtë vit. Do të jetë e fundit nga 56 ndeshjet që na sollën këtu, përfshirë edhe ato ku jemi kritikuar.

Jeni quajtur “Mbreti i Kupave”. Cili është sekreti?

Jam i kënaqur me reputacionin. Kam pasur fatin që kam skuadra të rëndësishme si Interi dhe Lacio. Në ndeshjet vendimtare kemi pasur gjithmonë paraqitje të shkëlqyera, duke u mbrojtur dhe sulmuar në mënyrën më të mirë. Do të duhet ta bëjmë këtë sërish të shtunën.

A mund ta ndryshojë Halandi qëndrimin tuaj?

Ndeshja do të përbëhet nga momente, është normale që ne duhet të jemi të kujdesshëm ndaj të gjithëve dhe atij patjetër, sepse është një nga ata që mund të të dëmtojë në çdo moment.