Parma dhe Cagliari barazuan 0-0 në play-off e Serie B, me Cagliarin që merr të drejtën për të kaluar më tej në finalen e madhe kundër Barit, për të mësuar se cili ekip do ngjitet në elitën e futbollit në Itali. Pas humbjes 3-2 në ndeshjen e parë, Parma nuk mundi të shënonte një gol për të dërguar ndeshjen në shtesë.

Në “Tardini” edhe legjenda Gianluigi Buffon nuk mundi t’i mbante lotët. I pamundur për të luajtur në këtë ndeshje, portieri 45-vjeçar u pa në dëshpërim dhe duke qarë si fëmijë pas ndeshjes. Legjenda e portës italiane kërkonte një ngjitje në Serie A me Parmën, për të luajtur sërish në elitë.

Edhe pse në moshën 45-vjeçare, ish-gardiani i Juventusit e përjeton futbollin me po të njëjtin pasion si në ditët kur sapo kishte nisur karrierën. Buffoni ka shpërthyer në lot pas eliminimit, duke treguar se sa shumë do të thoshte për legjendën e Italisë kjo ndeshje.