Presidenti i Turqisë, Recep Tayip Erdogan ka njoftuar përbërjen e qeverisë së re ku ministritë e Mbrojtjes, të Punëve të Jashtme dhe të Ekonomisë duket se kanë pësuar ndryshimet më të thella.

Qeveria e re do të mblidhet për herë të parë të martën e ardhshme.

Siç pritej, eksperti i njohur Mehmet Simsek, ish-ministër i Financave (2009-2015) dhe më pas Zëvendëskryeministër për Politikat Ekonomike (deri në 2018), do të marrë drejtimin e Ministrisë së Financave.

Emri i Mehmet Simsek (56) u shfaq vazhdimisht në media: ish-ekonomisti i bankës amerikane Merrill Lynch do të jetë përgjegjës për të vendosur rregull në politikën financiare të vendit, për të rifituar besimin e investitorëve.

Ministritë kryesore do të rinovohen gjithashtu: kështu Hakan Fidan, ish-kreu i MIT, shërbimi inteligjent turk, do të marrë postin e ministrit të Jashtëm, në vend të Mevlut Çavusoglu.

Në Ministrinë e Mbrojtjes, Yasar Gueler, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, zëvendëson Hulusi Akar, ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm që mbante detyrën që nga korriku 2018.

Akar u konsiderua si organizator i rezistencës ndaj grusht-shtetit të dështuar në korrik 2016. Në detyrë kanë mbetur vetëm dy ministra, Shëndetësisë dhe Kulturës.