Pas 14-vitesh pjesë e Real Madrid, duket se aventurës së Karim Benzema me klubin e Los Blancos i ka ardhur fundi.

Sulmuesi ka disa oferta, ku sigurisht ajo më “joshësja” vjen nga Arabia Saudite ku sheikët janë të gatshëm ta bëjnë një ndër më të paguarit e kampionatit së bashku me Cristiano Ronaldon, pa harruar edhe statusin e ambasadorit për Botërorin e vitit 2030, event që Arabia synon të fitojë të drejtën e organizimit.

Kështu, sipas Gianluca Di Marzio, francezi e ka marrë tashmë vendimin për t’u larguar dhe pritet që pasi të mbyllet sezoni në Spanjë, të shpallë në mënyrë zyrtare lamtumirën.

Benzema është një nga lojtarët më të vlerësuar në historinë e spanjollëve teksa ka shënuar 353 në 647 paraqitje me Realin pa harruar pesë trofe të Champions League, si edhe shumë trofe të tjerë. Por, tashmë në moshën 35-vjeçare, Benzema është gati për një eksperiencë të re jashtë Europës dhe mbi të gjitha që do t’i garontojë shumë të ardhura financiare.