Një vullkan në një zonë me popullsi të dendur në Itali mund të shpërthejë për herë të parë pas 485 vjetësh.

Ky është paralajmërimi i dhënë nga shkencëtarët për vullkanin “Campi Flegrei”, 14,5 kilometra nga Napoli në jug të Italisë, i cili ka shpërthyer për herë të fundit në vitin e largët 1538.

Aktualisht, rreth 360 mijë persona jetojnë në zonën e Campi Flegrei dhe mund të jetë e nevojshme që të evakuohen nëse ekspertët do të ngrinin alarmin për një aktivitet të menjëhershëm, edhe pse një gjë e tillë nuk është thënë. Nëse do të shpërthente, ky vullkan krahasohet të jetë i ngjashëm me madhësinë e shpërthimit të Vezuvit në vitin 79 pas Krishtit, i cili shkatërroi qytetet Pompeit dhe Herculaneum.

Studimi është kryer nga ekspertë të Institutit Kombëtar të Kërkimit të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë të Italisë (INGV) dhe University College London (UCL).

Autori kryesor i këtij studimi, profesor Christopher Kilburn, u shpreh se ka shumë të ngjarë që në brendësi të vullkanit të ndodhë një “thyerje”, e cila do t’ia bënte më të lehtë lavës daljen në sipërfaqe.

Campi Flegrei, konsiderohet si supervullkan për potencialin e tij pasi mund të shkaktojë një shpërthim me magnitudë rreth 8 ballë.

Ky vullkan studiohet prej vitesh dhe situata të ngjashme ka pasur edhe në të kaluarën. Madje në vitet 1950, 1970 dhe 1980 janë shkaktuar edhe tërmete të vogla.