Janë diplomuar njëherazi mbi 12 mijë studentë, të 7 fakulteteve përbërëse të Universitetit të Tiranës. Kjo ishte ceremonia më e madhe e diplomimit e zhvilluar ndonjëherë në Universitetin e Tiranës.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi tha se studentët janë në vëmendjen e qeverisë. Kushi kërkoi nga të sapodiplomuarit të shfrytëzojnë praktikat e punësimit që janë fillimisht për 3 muaj, më pas me kontrata 1-vjeçare e më pas kontrata të përhershme.

“E të gjithë ata që do të hyjnë direkt në tregun e punës dua t’ju them që edhe për ju misioni ynë nuk përfundon këtu. Sepse suksesi ynë i përbashkët varet nga sa dhe si do të integroheni në tregun e punës. Sa njohuri që keni marrë, aftësi që keni marrë do t’ju vlejnë për një karrierë të suksesshme. “Për maturantët kam një mesazh. Ata që janë në procesin e provimeve. Kanë dhënë provimin e parë të gjuhës së huaj, nesër kanë atë të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë. U uroj shumë suksese dhe nëse nuk e kanë vendosur ende se ku do të studiojnë, i ftoj ta vlerësojnë Universitetin e Tiranës, t’i vlerësojnë universitetet shqiptare”, tha Kushi.

Ceremonia e diplomimit për shkak të pandemisë nuk ishte zhvilluar më herët, për dy vite radhazi dhe tashme i kthehet traditës së hedhjes së kapeleve.