01 Qershor, Tiranë-  Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, ka uruar festën e 1 Qershorit dhe ka shpërndarë dhurata në Shtëpinë e Fëmijës “Hana dhe Rozafa” dhe në Pediatrinë e QSUT-së.
“Sot jemi shume të gëzuar qe jemi këtu në shtëpinë tonë “Hana dhe Rozafa” aty ku ne rrisim dhe mbështesim kaq shumë fëmijë të dashur dhe të mirë për të cilët i gjithi stafi i edukatorëve, kujdestarëve kujdeset me kaq shumë dashuri. Ne jemi duke u kujdesur dhe jemi të përkushtuar që të garantojmë nëpërmjet politikave tona sa më shumë shërbime, mjedise dhe mbështetje për fëmijët që kanë më shumë nevojë. Jemi këtu çdo ditë duke u kujdesur që fëmijët të kenë një ambjent sa më shumë miqësor dhe të shëndetshëm ku ata të rriten dhe të zhvillojmë potencialin e tyre. Gëzuar 1 Qershorin fëmijë”,- uroi Manastirliu.

Manastirliu e ka konsideruar ditën e sotme përveçse një ditë feste edhe reflektimi.
“Sot është një ditë gëzimi për të gjithë fëmijët, por është edhe një ditë reflektimi për të gjithë ne, për atë që duhet të bëjmë edhe me shumë për mirërritjen dhe zhvillimin e fëmijëve tanë”,- tha Manastirliu.

Ministrja Manastirliu ka marrë pjesë në disa aktivitete në Shtëpinë e Fëmijës “Hana dhe Rozafa” dhe Pediatria QSUT, dedikuar festës së vogëlushëve ku ka shpërndarë edhe dhurata.