Zgjedhjet ditën e djeshme në Turqi ishin më kritiket në historinë e vendit, me Erdogan që fitoi 52% të votave. Ajo që shumë po pyesin është se si Erdogani arriti të dalë fitimtar kur fushata e tij zgjedhore ishte e mbushur me urrejtje dhe iluzione.

Presidenti turk përhapi propagandën e tij në fushatat elektorale nëpër televizionet më të mëdha, pothuajse të gjitha janë nën kontrollin e tij. Përveç kësaj, ai tha se partia e Kemal Kilicdaroglu ka lidhje me organizatat terroriste. Pa dyshim, ky ishte mjeti i tij më efektiv në fushatën zgjedhore, raporton abcnews.al.

Në çdo tubim të fushatës, Erdogan akuzoi liderin e opozitës Kilicdaroglu për lidhjet e tij me organizatat terroriste, kryesisht Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK).

Nuk është rastësi që të martën e kaluar, duke folur për viktimat e tërmetit, ai pohoi se opozita dhe Kilicdaroglu bashkëpunojnë më njeri-tjetrin. Përgjigja e Kilicdaroglu ishte e menjëhershme, ai shkroi në Twitter duke iu drejtuar Erdogan: “Gënjeshtar. Nuk lodhesh kurrë duke shpifur”.

Përveç kësaj, Erdogan arriti të merrte mbështetjen e politikanëve të opozitës, si ultra-nacionalisti Sinan Ogan, i cili në raundin e parë të zgjedhjeve fitoi 5%. Sidomos për çështjen e emigracionit, dallimet mes dy politikanëve dukeshin të pakapërcyeshme: Ogan dëshironte deportimin e menjëhershëm të refugjatëve, Erdogan jo.

Megjithatë, pas një takimi me dyer të mbyllura, Ogan papritmas mbështeti Erdogan me shumë analistë që sugjeronin se kishin zhvilluar negociata, të cilat nuk u zbuluan.

Feja dhe Perandoria Islame

Karremi më i rëndësishëm! Erdogan po luan me retorikën islame. Ai ndoqi një shkollë islame dhe flet gjuhën e muslimanëve të devotshëm. Gjatë gjithë karrierës së tij politike, ai kishte vetëm një qëllim: të bindte bashkatdhetarët e tij se ai është shpëtimtari i tyre. Dhe ai e bëri atë me sukses.

Edhe sot e kësaj dite, të tregosh se është “mysliman i mirë është faktori më i rëndësishëm” për të siguruar votën e mbështetësve të tij.

Myslimanët që u rritën në një Turqi rreptësisht laike gëzojnë përmes Erdogan liritë që nuk i njihnin më parë: Gratë që mbajnë shami lejohen të ndjekin universitetet dhe të bëhen oficere policie, raporton abcnews.al.

Burrat që falen nuk shihen më me dyshim në ushtri, diçka e paimagjinueshme në Turqinë e viteve 1970 dhe 1980. Në çdo fjalim publik që ai fillon duke përshëndetur Zotin, ai përdor pjesë nga Kurani dhe jep shembuj nga jeta e Profetit. “Ne marrim urdhrat tona nga Zoti ,” tha ai në një ngjarje në Stamboll të hënën.

Ëndrrat e një perandorie neo-otomane dhe islamike frymëzojnë përkrahësit e tij.

Premtimi i tij më i madh i fushatës: Erdogani i Madh do të ribashkojë të gjithë popujt myslimanë.

Çfarë po injorojnë apo nuk duan të besojnë votuesit e tij?

Prej vitesh ka pasur akuza të rëndësishme për korrupsion dhe nepotizëm ndaj Erdoganit. Ky është mëkat për Islamin! Megjithatë, presidenti turk arriti të kthejë secilën nga këto akuza të shumta në një komplot dhe plan të “Perëndimit të pafe” , për ta paraqitur çdo sulm kundër tij si një sulm ndaj Islamit.

Në të njëjtën kohë, Erdogan përmend disa herë se kundërshtari i tij dhe zyrtarët e partisë së Kilicdaroglu (CHP) janë pijanec. Pothuajse në çdo tubim elektoral të këtyre ditëve, ai pyet turmën: “A nuk qëndron partia ‘CHP’ në mbrojtje të komunitetit LGBTI?” . Turma bërtet: “Po!”

“Ne, nga ana tjetër, mbrojmë lidhjen e shenjtë të martesës ”, tha Erdogan.

Erdogan ka vite që i përsërit të gjitha këto pretendime. Kjo është receta e suksesit të tij. Opozita po përpiqet t’i kundërvihet, duhet të luftojë kundër aparatit shtetëror të Erdoganit dhe propagandës mediatike që është në anën e tij.