Për Fatmir Xhafajn, rikthimi i Berishës si fillim për të marrë kryesinë e PD-së dhe më pas futjen në zgjedhjet e 14 majit, ishte si një kthim në skenën e krimit. I ftuar në emisionin “Shqip” nga Dritan Hila në DritareTv, Xhafaj komentoi gjuhën fyese të Berishës dhe damkën non-grata nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe. Sipas Xhafajt, nëse britanikët apo amerikanët do të nxirrnin çfarë kanë thënë bashkëpunëtorët e drejtësisë për ata që janë shpallur non-grata, do të lemeriseshin gjithë shqiptarët.

“Berisha u kthye në vendin e krimit. Kur e shoh më kujton një personazh, Rrapush Xhaferin, por ai ishte burrë më i mirë se Berisha. Të paktën Rrapushi me çmendurinë e vet, jepte ca lekë e shpresë te njerëzit, kurse ky kudo që shkon mbjell të keqen. Gjuha e tij shumë fyese për inteligjencën, brezin e ri. Jemi në vitin 2023 dhe ky ka të njëjtin artikulim fyes që para 30 vjetësh. Është e paimagjinueshme të shash një njeri që deri dje e ke quajtur hero, e ardhmja e këtij vendi. Sot çfarë nuk i thotë bashkëpunëtorëve të vet.

Berisha minimumi duhet të heshte, sepse deri dje ata bashkëpunëtorë i ka ngritur në piedestal. Një ditë të bukur i zhyt në baltë. Të rikthehesh pas kaq vitesh dhe të thuash unë jam e ardhmja, jam shpresa, kjo nuk shkon. Gjuha e tij është e turpshme. Merru më Edi Ramën, Erion Veliajn, Fatmir Xhafajn, Taulant Ballën, me kundërshtarët e tu politikë, por ç’punë ke ti të ngatërrohesh me familjet e tyre. Është e rëndë kur e dëgjon, fyese.

Të gjithë këta që janë shpallur non-grata bëjnë një budallallëk. Nëse do i nxirrnin britanikët dhe amerikanët, çfarë kanë thënë bashkëpunëtorët e drejtësisë, në këtë vend do lemeriseshin të gjithë. Më mirë e lënë me kaq. Atyre u është vrarë shpresa. Por do humbiste çdo shpresë që ne po përpiqemi nga pak ta krijojmë.”, u shpreh Xhafaj në DritareTv.