Nga Njësia 7, ku vijoi turin e falenderimeve për mbështetjen në zgjedhjet e 14 Majit, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh mirënjohës për të gjithë ata që punuan çdo ditë për fitoren dhe që Tirana të ecë përpara.

“Faleminderit është fjala më e bukur shqipe sepse do të thotë se i falesh nderit të dikujt që pati mirësinë të japë nga koha dhe jeta e tij për këtë fitore. Një faleminderit meritojnë edhe ata që ende punojnë për të shtruar rrugët me asfalt, për t’i ndriçuar ato, sepse ne kemi një super kapiten dhe një super skuadër, por ne fitojmë sepse punojmë përditë. Ky është sekreti i fitores sonë,” u shpreh Veliaj.

Ai nënvizoi se fitorja e Partisë Socialiste në Tiranë vjen falë punës së përditshme dhe se kjo fitore tregoi se qytetarët duan që puna të vazhdojë.

“Si ka mundësi që për ne votat për kryetarin dhe votat për partinë janë thuajse barazim? Sepse njerëzit e kuptojnë se, po, bashkia ka kryetar, por ky kryetar ka edhe një skuadër që quhet Partia Socialiste e Shqipërisë. Si ka mundësi që kundërshtarët tanë jo vetëm marrin 60 mijë vota më pak, por kur vjen puna te votat e partisë ata përgjysmohen edhe njëherë? Sepse njerëzit nuk besojnë as te kandidatit, por nuk besojnë as te ajo skuadër. Fakti që ata nuk kanë përgjigje, jo vetëm pse humbin Tiranën, por edhe pse humbin edhe gjysmën e votave të partisë, do të thotë se ata nuk kanë as kapiten dhe as skuadër. Ne kemi kapiten, kemi Edi Ramën, ne kemi skuadrën e Partisë Socialiste dhe ne kemi një program për Tiranën që ta çojmë vetëm përpara,” argumentoi më tej ai.

Sipas Veliajt, tani që fushata ka përfunduar, puna duhet të nisë menjëherë për garën e radhës.

“Një nga arsyet pse fitojmë është se ne nuk presim 3-ditëshin e fundit. Të tjerët e vënë re në minutën e fundit faktin se janë bërë 40 shkolla, janë mbjellë 1 milion pemë dhe janë bërë mijëra rrugë. Ne kujtohemi për njerëzit përditë, i vëmë re nevojat e tyre përditë. Kjo është formula fituese për këtë fushatë dhe çdo fushatë tjetër,” u shpreh ai.

Ai bëri edhe një tjetër ftesë drejtuar këshilltarëve të forcave të tjera politike, që do i bashkohen në këtë mandat Këshillit Bashkiak në Tiranë: “Ne kemi një shumicë dërrmuese në Këshill Bashkiak. Nuk kemi nevojë për numra të tjerë. Por, ne kemi dëshirë që edhe të tjerët të na bashkohen. Ne kemi dëshirë që edhe të tjerët të punojnë. Ne kemi dëshirë që edhe të tjerët të çojnë Tiranën përpara. Detyra jonë është t’u themi: hapni sytë, me Saliun do shkoni poshtë e më poshtë”, tha Veliaj.