Myrto Uzuni është një nga pikat kyçe të ekipit të Granadës në këtë sezon. Shqiptari është golashënuesi më i mirë në La Liga 2 me plot 21 gola të shënuar. Disa gola themelorë, sepse sa herë që shënon, skuadra e Granadës nuk humbet. Në një konferencë për shtyp pas ndeshjes me Eibar e cila përfundoi në barazim 1-1, sulmuesi beratas foli gjerë e gjatë.

“Ekipi është mirë, ne e dinim se po luanim kundër Eibar. Një lojë që nuk ishte e lehtë. Granada kërkon gjithmonë fitoren në të gjitha ndeshjet, por është e vështirë. Duhet të mësojmë nga gabimet tona dhe të shikojmë drejt së ardhmes. Kemi dhe katër finale të mbetur dhe e para është kundër Alaves dhe do të fitojmë. Në futboll gjërat nuk shkojnë gjithmonë ashtu siç duam ne, prandaj ne duhet të përmirësohemi.
Mendojmë vetëm për promovim direkt në La Liga, kemi mentalitet fitues, një ekip i madh me staf stërvitor që punojmë shumë dhe nuk mendojmë për asgjë tjetër”, tha shqiptari. Myrto Uzuni është i bindur se do të ngjiten direkt duke mos e menduar play-off. “Ne do të ngjitemi direkt, nuk ka dyshim. Kam mbetur edhe një muaj për të parë se ku jemi, do të shohim cila është zgjidhja më e mirë për Granadën”. Mungesa e golit të Uzunit në ndeshjet e fundit ka hapur një debat. Kjo sepse në letër, ekipi i Granadës ka një nga sulmet më të fuqishme në kampionat. “Golat vijnë kur ne jemi bashkë dhe i bëjmë gjërat mirë. Kundër Las Palmas kemi bërë një lojë të shkëlqyer dhe kemi shënuar 2 gola. Por kundër Eibar ishte ndryshe sepse ata mbroheshin mirë. Duhet të harrojmë të kaluarën, duhet të mësojmë dhe të fitojmë ndeshjen e radhës.

Jam gjithmonë në formë të mirë, gjërat janë të qarta për mua pasi mendoj vetëm të punoj shumë. Jam 100% i fokusuar për të ndihmuar ekipin me golat dhe asistimet e mia. Nuk jam aspak nervoz sepse golat do të vijnë pasi i di aftësitë dhe cilësitë e mia dhe jam i sigurt që do të shënoj më shumë gola në ndeshjet e ardhshme. Unë gjithmonë dua më shumë, do të vazhdoj të punoj dhe shpresoj të shënoj më shumë gola në katër ndeshjet e mbetura dhe shpresoj të jem golashënuesi më i mirë këtë vit. Në Granada ndihem si në shtëpinë time, njerëzit më duan dhe ekipi me dha mundësinë për të përmbushur ëndrrën time. Gjithmonë kam parë Messin dhe Ronaldon që kanë luajtur në La Liga, Cristiano është idhulli im.
Tifozët janë të mrekullueshëm dhe sakrifica që bëjnë është e pabesueshme. Në shtëpi nuk kemi humbur pikërisht sepse kemi tifozët tanë”, e mbylli fjalën e tij sulmuesi i Kombëtares shqiptare.