Edhe gjatë fushatës elektorale për zgjedhjen e kryetarit të ri të bashkisë dhe të këshillit bashkiak, në Divjakë mbizotëron fryma e punës.

Nga Edmond Hoxhaj/

Fushata elektorale për zgjedhjet vendore nuk ndihej në qytetin e Divjakës pasditen e të dielës më 7 maj, megjithëse e ndante vetëm një javë nga dita e votimit. Pak njerëz gjeje në sheshin qendror të investuar në kuadër të programit të Rilindjes Urbane, por ku duken qartë dëmtimet në pjesën më të madhe të pllakave, megjithëse ka pak vite që janë shtruar. Të paktë janë dhe personat që lëviznin në rrugë, më të shumtët e tyre duket se ishin të punësuar që ofronin shërbimet për llogari të bizneseve të vogla.

Më shumë njerëz gjendeshin në tregun e perimeve, ku të gjithë janë duke kryer ndonjë punë, ose pastrojnë perimet dhe i sistemojnë ato në arka; procesin e ngarkim-shkarkimit dhe shitjen e prodhimeve bujqësore kur mbërrijnë tregtarët e interesuar. Në dalje të qytetit, autobuzët mbushen me punëtore, të cilat, pasi kanë përfunduar ditën e punës largohen për në shtëpitë e tyre. Njerëzit ishin të fokusuar në punët e tyre dhe duket se vetëm kjo u interesonte.

Rreth 44 mijë qytetarë të bashkisë Divjakë me të drejtë vote pritet të votojnë më 14 maj për të zgjedhur kryetarin e ri të bashkisë, mes kandidatit socialist, Josif Gorrea dhe kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Aurel Malko. Të dy kandidatët janë marrë me biznes. Bashkia e Divjakës shtrihet në Ultësirën Perëndimore të Shqipërisë dhe është një nga resurset më të rëndësishme bujqësore të vendit. Banorët e bashkisë jetojnë falë bujqësisë së zhvilluar dhe tokës që mund të mbillet deri në tre herë në vit, për konsum të brendshëm dhe për eksport, si dhe falë turizmit familjar dhe peshkimit të zhvilluar në bregdetin e parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta.

Një banore e cila po qëndronte në sheshin kryesor të qytetit së bashku me një familjarin e saj, shfaqi mendim pozitiv për të dy kandidatët. “Ne jemi vend bujqësor dhe të dy kandidatët janë të mirë, kanë programe të mira. Ne nuk kemi pasur asnjëherë presion për votën. E kemi dhënë ku kemi menduar e dashur. Fitoftë më i miri!”, pohoi ajo. Në tregun e perimeve, të shumica shfaqen indiferentë ndaj zgjedhjeve. “Ne me lakër merremi. Nuk merremi me tallava. Nuk dimë gjë nga ajo pjesë. Nuk na intereson, ne këtu punojmë”, shprehet një fermer i cili ishte duke sistemuar prodhimet e lakrës.

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” ishte i padisponueshëm pasditen e së dielës për të zhvilluar një intervistë, duke sqaruar se ishte në takime të paracaktuara me qytetarët. Megjithatë, në një komunikim telefonik ai ngriti pretendime për përdorimin e administratës dhe burimeve të institucioneve publike në shërbim të kandidatit rival të Partisë Socialiste, PS. Kandidati socialist, Josif Gorrea thekson se është munduar të bëj një fushatë model deri tani, gjithmonë me takime të programuara e të paralajmëruara.

“Në fushata jemi munduar të jemi vetëm. Jam i shoqëruar vetëm nga deputeti. Nuk ka qenë kryetari aktual. Kam pasur njerëz lokalë të asaj zone, të atij fshati e kështu me radhë. Unë nuk e njoh fare administratën. Nuk e di kush është në administratë. Është një pretendim jo i këndshëm mendoj unë. Jemi menduar të jemi sa më konkretë, së më të drejtëpërdrejtë. Të gjitha takimet tona janë jashtë, në popull. Nuk janë asnjëherë nëpër salla, apo dikur tjetër”, tha Gorrea dhe shtoi se nga pala tjetër është kryer ndonjë xhirim gomash, gjë që e konsideroi si pjesë të lojës. Gorrea tha se nëse do të zgjidhet, do të përfundojë gjithë projektet e mbetura përgjysmë dhe se në dy vitet që vijnë do të asfaltohen të gjitha rrugët e lagjeve në gjithë bashkinë. Sipas tij, në fokus do jetë menaxhimi i mbetjeve urbane.

Ai solli në vëmendje faktin se vjen nga biznesi. “Atë model pune që kam tek biznesi im, atë marrdhënie që kam me punonjësit dhe me klientët, do ta sjell në bashki. Pra, do jemi të drejtëpërdrejtë, në kohën e duhur[…]”, theksoi Gorrea, duke sqaruar se përqëndrimi kryesor do të jetë tek bujqësia, pasi është sektori prej nga ai vjen dhe vetë. Veç mirëmbajtjes së rrugëve mes ngastrave të tokës bujqësore dhe kanalizimeve, Gorrea u shpreh se ka në plan të realizojë vaditjen e gjithë territorit të bashkisë, që sipas tij do të ishte një investim që do të jepte kontribut për një shekull.

“Bujqësia shqiptare duhet të tërheq më shumë vëmendjen e qeverisë. […]Ne duam që bujqësinë ta ngremë në një nivel tjetër. Të shkojmë drejt një niveli…, bujqësi jo vetëm ekstensive që tashmë fermerët prodhojnë mirë, me rendimente të larta, por duam të prodhojmë pa mbetje dhe të shkojmë drejt mallit të kontraktuar, e të hyjmë në Evropë e të shesim më shtrenjtë që ti mbajmë të rinjtë këtu. Kjo është sfida e jetës time dhe kjo është sfidë e këtyre katër viteve nëse do të jem kryetar bashkie”, përfundoi Gorrea.