Krizën më të madhe shëndetësore, socio-ekonomike në të gjithë botën e ka shënuar pandemia globale Covid-19, të paktën në tri dekadat e fundit. Ekspertët e shëndetit, organizatat që në fokus kanë të rinjtë dhe politikat shëndetësore në vendet e Ballkanit dhe Europws, autoritete të vendit u bënë bashkë në Tiranë për të diskutuar mbi reagimin dhe strategjitë e ndjekura nga vendet respektive që të rinjtë, gratë, grupet e margjinalizuar të kishin akses të plotë në sistemin e kujdesit shëndetësor.
Hulumtimi 3 vjeçar i Qendrës Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin në Shqipëri, Instituti për Popullsinë dhe Zhvillimin në Bosnje, Shoqata e planifikimit familjar në Bullgari, Qendra për Këshillimin, Shërbimet Sociale dhe Hulumtimin në Kosovë dhe Shoqata e Edukimit dhe Hulumtimit Shëndetësor në Maqedoninë e Veriut është një dokument që tregon që të rinjtë ende përballen me aksesin e kufizuar në shërbimet sociale dhe shëndetësore.
Në këtë raport evidentohet se 15% e adoleshentëve raportuan nevojë më urgjente për informacion për marrëdhëniet seksuale. Nga të cilët 11% e të rinjve dhe adoleshentëve në zonat rurale raportuan urgjencë më të lartë në informacion për marrëdhënie seksuale të sigurta.

Përtej informacionit dhe marrëdhënieve të sigurta intime, të rinjtë kanë raportuar mbi efektet negative të pandemisë në gjendjen psikologjike dhe shëndetin mendor. 54% e të rinjve janë shprehur se kanë përjetuar gjendje negative gjatë pandemisë dhe 63% e tyre kanë shfaqur situata dhe problematika të shëndetit mendor.
Pandemia u shoqërua gjithashtu me rritje të numrit të incidenteve të dhunës me bazë gjinore dhe pati kufizime të shprehjes së lirisë të identiteti gjinor si dhe orientimit seksual për komunitetin LGBTI që përjetuan ndarje fizike nga partnerët e tyre.
Referuar aksesit në shërbimet shëndetësore dhe qasjes së të rinjve në institucionet spitalore dhe ekspertët e shëndetit, 75% e tyre kanë dëshmuar se sa e rëndësishme është të kesh mjek familjeje dhe të raportosh mbi problematikat shëndetësore. Gjithashtu prezenca e mjekut të familjes dhe informacioni mbi edukimin seksual ka sjell një qasje pozitive dhe të shëndetshme tek të rinjtë. 53% janë shprehur pozitivisht për impaktin që kanë patur me mjekët e familjes dhe aksesin në shërbimet shëndetësore.

Drejtuesja e Qendrës Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin Elona Gjebrea si organizatore dhe mirëpritëse e këtij aktivitetit e vuri theksin në rëndësinë që kanë panele të tilla duke bërë bashkë aktorët më të rëndësishëm me qëllim nxitjen e të rinjve për aksesin në informacion dhe shërbimet shëndetësore.
‘Të rinjtë në situata të pambrojtura në Ballkanin Perëndimor përballen me shumë pengesa për aksesin në kujdesin shëndetësor seksual dhe riprodhues. Gjatë gjithë pandemisë COVID-19, ata kishin pengesa shtesë për të aksesuar informacionin, mbështetjen dhe kujdesin. Anëtarët dhe partnerët e Federatës Ndërkombëtare të Planifikimit Familjar (IPPF) në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Bullgari, Maqedoni të Veriut dhe Kosovë, të mbështetur nga Zyra Rajonale e IPPF EN, po mbështesin të rinjtë që të bëjnë fushatë për politika dhe programe që forcojnë sistemet shëndetësore dhe rrisin aksesin në kujdes dhe duke mos lënë askënd pas, në dhe përtej situatave emergjente”- shpreh Znj. Gjebrea.

“Është e rëndësishme që shërbimet shëndetësore sidomos ato për shëndetin seksual dhe planifikimin seksual të jenë të aksesueshëm për të gjithë të rinjtë. Më e rëndësishme në këtë proces është që këto shërbimet të jenë gjithashtu orientuese dhe miqësore. Ajo që mësuam nga pandemia, ishte që Covid 19 solli pasoja në aspektin socio-ekonomik dhe në atë shëndetësor. Përmes projektit “Zëri i të rinjve’ ne synojmë që të rrisim njohuritë tek kjo kategori, të nxisim fuqinë e të rinjve që kanë në shoqëri si dhe të nxisim bashkëpunimin me aktorët e përfshirë në këtë proces. Të rinjtë janë pjesa më e rëndësishme e këtij studimi ndaj të gjithë duhet të bëjmë përpjekjet tona për të zgjeruar aksesin për informacionin dhe marrjen e shërbimeve shëndetësore” – Lena Luyckfasseel, Drejtore e Programit dhe Performancës- Zyra Rajonale e rrjetit evropian IPPF.

Ndërsa Bora Muzhaqi, Ministre e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët e vuri theksin në strategjinë e qeverisë shqiptare ku në fokus ka arsimin, edukimin dhe rritjen e aktivitetit sportiv në shkolla.
“Ne duhet të dëgjojmë zërin e të rinjve pasi zëri i tyre nuk është dëgjuar gjithmonë. Ne kur flasim për të rinjtë, flasim për arsimin, flasim për shëndetin të cilët janë elementët më të rëndësishëm. Qeveria Shqiptare, Ministria e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët ka hartuar dhe po implementojnë strategjinë 2022-2029 ku dëgjohet zëri i të rinjve si zëri më i rëndësishëm në komunitet. Në këtë mënyrë ne kemi shprehur të gjithë gatishmërinë që vëmendja jonë janë të rinjtë dhe shëndeti i tyre. Kemi ndërmarrë iniciativa të tjera të rëndësishme si përfshirjen e programit të sportit. Ne aktualisht kemi mbi 700 ekipe sportive në shkolla dhe mbi 220 klasa sportive dhe do të vazhdojmë të punojmë që të rinjtë të kenë më shume akses në informacion, në aktivitet sportive dhe në struktura ku ofrohet kujdesi shëndetësor.

Znj. Nina Guga, Zëvendësministre e Ministrisë së Arsimit Rinisë dhe Sportit tha se “Edukimi seksual është i rëndësishëm dhe për zhvillimin social-ekonomik. Është një numër i vogël i të rinjve që nuk e kanë aksesin në arsimin formal dhe nisur nga kjo situatë ne jemi të fokusuar të punojmë me këtë grup pasi i mungojnë informacionet e duhura. Në partneritet me organizuarat për të ofruar programe gjithëpërfshirëse të edukimit seksual në mënyrë që të arrijmë të gjithë grupmoshat arsimore si dhe zonat rurale të largëta që mund të përballen me kufizime në aksesin për informacion dhe shërbimet shëndetësorë. Besojmë se edukimi seksual është një e drejtë e të gjithë të rinjve për promovimin e shëndetit, dinjitetit dhe të drejtat e tyre njerëzore. Jemi të përkushtuar të punojmë me të gjithë partnerët që të rinjtë të kenë akses në edukimin seksual pavarësisht zonës apo statusit të tyre social-ekonomik”.

Mesazhet e përcjella nga të rinjtë ishin të qarta ndërsa rekomandimet e dala nga ky takim i zgjeruar i rrjetit të organizatave të Ballkanit dhe Europës konsistojnë në rritjen e ndërgjegjësimit për aksesin e të rinjve në informacion, kujdes i veçantë që duhet të jetë ndaj ekspozimit ndaj materialeve të dëmshme sidomos për të miturit duke qenë se smartphonet dhe interneti është burimi i parë dhe i rëndësishëm për informacion. Vijueshmëria për edukimin seksual, trajnimi i mësuesve dhe edukatorëve si dhe shtimi i përpjekjeve për uljen e diskriminimit dhe fenomeve të tjera të bullizimit apo dhunës në tërësi.