Kryebashkiaku aktual dhe njëherazi kandidati socialist për mandatin e tretë në krye të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka folur për strategjinë e fushatës për zgjedhjet lokale të 14 Majit.
I ftuar në “Top Story” me Grida Dumën, Veliaj thekson se arsyeja pse e vë theksin tek çifti Berisha-Meta dhe jo rivali i tij në zgjedhje, Belind Këlliçi, është sepse politika shqiptare ndodhet në një situatë ku opozitën shqiptare e përfaqësojnë persona “non grata”.

“Të kesh njerëz që të ofrojnë ty zgjidhje, ndërkohë që nuk kalojnë dot Rinasin. Të kesh njerëz që premtojnë se do të kujdesen për shtëpitë tona, ndërkohë që shkatërruan selinë e tyre”- është diçka jo normale sipas Veliajt.

Pjesë nga biseda:

Duma: Kë zgjedhur të mos e përmendësh fare Këlliçin apo të dalësh në një përballje mediatike me të. Nuk mendoj se është çështje që t’i nuk përballon një debat. Kjo është një strategji e jotja që përmend tërë kohës Berishën dhe Ilir Metën, duke theksuar krerët e partive, por ndërkohë thua që nuk dal me Këlliçin, që është kundërshtari yt në fletën e votimit, duke thënë që nuk i pastroj fytyrën një pupaci që ja kanë bërë pis Iliri dhe Saliu. Ti bën protagonistë Berishën dhe Metën, çfarë strategjie është?

Veliaj: Strategjia është shumë e thjeshtë. Ne kemi sot një situatë ku ata që përfaqësojnë opozitën shqiptare janë persona “non grata”. Diçka që nuk ka ndodhur as në vitet e errëta të komunizmit, diçka që është shumë e shëmtuar për vitin 2023. Të kesh njerëz që të ofrojnë ty zgjidhje, ndërkohë që nuk kalojnë dot Rinasin. Të kesh njerëz që premtojnë se do të kujdesen për shtëpitë tona, ndërkohë që shkatërruan selinë e tyre. Të kesh njerëz që do të tolerojnë një qytet, një kozmopolitan, 1 milion mendime, ndërkohë që sigurohen dhunshëm për të përjashtuar çdo mendim ndryshe, kjo nuk shkon.