Ka përfunduar takimi midis kryetarit të Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, dhe atij të Zveçanit, Ilir Peci, me ambasadorin amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier. Takimi u zhvillua në zyrat e Bashkimit Evropian në Prishtinë dhe në të nuk morën pjesë krerët e Leposaviqit dhe Mitrovicës së Veriut, që vijnë nga radhët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.

Pas takimit, ambasadori amerikan Hovenier është parë duke u larguar nga zyrat e BE-së në Prishtinë. Kreu i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, më herët gjatë të hënës konfirmoi për Radion Evropa e Lirë pjesëmarrjen në këtë takim. I pyetur nëse gjatë ditës do të shkojë në zyrën e tij në objektin e komunës së Zubin Potokut, Zeqiri, tha se nuk mund ta di tani për tani.

“Nuk e di nëse do të shkoj në zyre sot. E kam agjendë shumë të ngjeshur. Ta shohim gjatë ditës”, tha Zeqiri, që është nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.

Ende nuk dihet nëse kryetarët e tjerë do të marrin pjesë në këtë takim. Më 29 maj, grupe të serbëve lokalë janë mbledhur para ndërtesave komunale në veri për të kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë. Përveç Policisë së Kosovës, që gjendet para ndërtesave komunale, në veri është vërejtur shtim i pranisë së pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Pas përleshjeve mes Policisë së Kosovës dhe serbëve lokalë më 26 maj, Shtetet e Bashkuara dënuan ashpër ato që i cilësuan si “masa të dhunshme” të Qeverisë së Kosovës.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se veprimet e Qeverisë së Kosovës “përshkallëzuan tensionet pa nevojë”. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se i kupton shqetësimet e partnerëve ndërkombëtarë, por “çdo opsion tjetër do të ishte mospërmbushje e obligimeve kushtetuese”.

Zgjedhjet lokale në veri u mbajtën pasi nëntorin e kaluar, krerët e katër komunave veriore, nga Lista Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës – dhanë dorëheqje. Kjo parti i braktisi të gjitha institucionet e Kosovës, për shkak të vendimit të Qeverisë në Prishtinë për të kryer procesin e riregjistrimit të makinave me targa ilegale serbe.
Zgjedhjet u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë, e cila tani nuk i pranon rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj./REL