Në kërkim të pikës që i konfirmon në Champions sezonin e ardhshëm, trajneri i Mançester Junajtidit, Erik ten Hag, ka nisur të mendojë për merkaton e “djajve”. Këtë javë u publikua lajmi se Mançester Junajtidit i është ofruar sulmuesi i PSG-së, Nejmar, për ta transferuar në merkaton e kësaj vere.

Skuadra e “djajve të kuq” është mes shumë klubeve që është kontaktuar përmes ndërmjetësuesve për t’u pyetur për disponueshmërinë e tyre për të firmosur me sulmuesin brazilian. Por “Sky Sports” raportoi se pavarësisht se nga pikëpamja e marketingut një marrëveshje e tillë do të shihej me interes, ai nuk është një interes i Mançester Junajtidit.

Në çdo rast do të ishte e vështirë që Mançesteri të paguante kartonin dhe rrogën e tij të lartë, duke mos pasur edhe sigurinë se si një lojtar që dëmtohet kaq shpesh do të ambientohej në Premier Ligë. PSG-ja është e hapur për të dëgjuar oferta për futbollistin më të shtrenjtë të historisë së futbollit (222 milionë euro).
Megjithatë, në konferencën e djeshme përpara ndeshjes me Çelsin, trajneri holandez dha një përgjigje që ngriti shumë dyshime kur u pyet për brazilianin: “Kur të kemi lajme do t’ua komunikojmë ato”.

Mançester Junajtid do të jetë i zënë në këtë merkato, ndërsa një numër i konsiderueshëm lojtarësh priten gjithashtu që të largohen nga “Old Trafford” në merkaton e verës. Kapitenit Meguajër pritet të largohet ndërsa në dyshim janë edhe e ardhmja e Marsialit, Dalotit, Bisakës, Fredit, MekTominejt, Van de Bekut, Elangës dhe Uilliamsit. Xhons, Tuanzebe, Beili dhe Tejesh janë në listën e largimeve gjithashtu.