Eduard Zaloshnja

Lajtmotivi i analizave pas zgjedhjeve lokale në Shqipëri është: “Dihet që në zgjedhje lokale bie pjesëmarrja, krahasuar me zgjedhjet paraardhëse politike”. Mëse e vërtetë, por…

Më 14 maj 2023, morën pjesë në zgjedhjet lokale pothuaj 1 milion e 400 mijë shqiptarë të rritur. Ndërsa dy vjet më parë, në zgjedhjet politike, votuan mbi 1 milion e 660 mijë shqiptarë të rritur. Fitorja e numrit të pjesëmarrësve ishte mbi 260 mijë, por ajo ishte e përqendruar pothuaj e gjitha tek opozita. Vetëm diçka mbi 10 mijë vota më pak morën kandidatët për kryebashkiakë të PS-së, krahasuar me votat që morën parvjet kandidatët për deputetë të PS+PSD…

Më 2015 (zgjedhjet e fundit lokale që nuk u bojkotuan nga opozita), pjesëmarrësit ishin rreth 160 mijë më pak se sa në zgjedhjet politike të 2013-ës, por firoja ishte e përqendruar kryesisht majtas. Plot 150 mijë më pak votuan për kandidatët për kryebashkiakë të PS+LSI+etj., krahasuar me sa votuan dy vjet më parë për kandidatët për deputetë të koalicionit PS+LSI+etj.

Më 2011, numri i pjesëmarrësve në zgjedhjet lokale ishte rreth 100 mijë më pak se sa në zgjedhjet politike të 2009-ës, por firoja ishte e përqendruar kryesisht djathtas. Vetëm 20 mijë vota më pak morën kandidatët socialistë për kryebashkiakë/kryekomunarë, krahasuar me kandidatët për deputetë të koalicionit socialist të 2009-ës.

Më 2007, numri i pjesëmarrësve në zgjedhjet lokale ishte rreth 120 mijë më pak se sa në zgjedhjet politike të 2005-ës, por firoja ishte e përqendruar kryesisht djathas. Plot 110 mijë vota më pak morën kandidatët e djathtë për kryebashkiakë/kryekomunarë, krahasuar me kandidatët për deputetë të koalicionit të djathtë të 2005-ës.

Më 2003, numri i pjesëmarrësve në zgjedhjet lokale ishte rreth 110 mijë më pak se sa në zgjedhjet politike të 2001-shit, por firoja ishte e përqendruar kryesisht majtas. Plot 100 mijë vota më pak morën kandidatët e majtë për kryebashkiakë/kryekomunarë, krahasuar me kandidatët për deputetë të koalicionit të majtë të 2001-shit.

Periudha 1996-2000 ishte e turbullt elektoralisht, prandaj nuk vlen të analizohet. Kurse 1992-shi përbën rastin më të veçantë elektoral nga pikpamja statistikore. Në zgjedhjet lokale të korrikut 1992, numri i pjesëmarrësve ra plot 200 mijë brenda katër muajve nga zgjedhjet historike politike të 22 marsit 1992. Dhe praktikisht e gjithë firoja e pjesëmarrësve ishte djathtas…

Shënim në lidhje me kryeqytetin: Më 14 maj 2023, numri i pjesëmarrësve në territorin e Bashkisë Tiranë ishte rreth 80 mijë më pak se sa në zgjedhjet politike të parvjetshme. Por firoja e pjesëmarrësve ishte 3/8 majtas dhe 5/8 djathtas, që solli si rrjedhojë një epërsi të Veliajt prej 60 mijë votash ndaj rivalit të dytë në garë…