Procesi i numërimit të votave pritet të nisë shumë shpejt në disa nga bashkitë e vendit, pas dorëzimit të kutive.

Pas përfundimit zyrtar të votimeve, KZAZ-të përkatëse kanë nisur shpërndarjen e kutive të votimit.
Deri më tani raportohet se në disa nga bashkitë numërimi do të nisë brenda orës 11, ndërsa në disa të tjera vijon ende procesi.

Nuk kanë munguar as vonesat në disa nga qytete, pasi ka ndikuar distanca e qendrave të votimit kanë.
Deri më tani rezultati paraprak është publikuar vetëm në tre bashkitë ku ka pasur votim dhe numërim elektronik. Bashkitë e Vorës, Kamsëz dhe Elbasanit kanë nxjerrë fitues paraprakë kandidatët e Partisë Socialiste.
Kandidati i PS Gledian Llatja ka marrë fitoren në bashkinë Elbasan përballë kandidatit të Berishës dhe Metës, Luçiano Boçi me mbi 55% të votave. Mbeten ende pa u shpallur rezultati për 74 kuti nga 224 gjithsej por nuk pritet të ketë ndikim në rezultat.
Me fitore të thellë, Partia Socialiste ka kryesuar në Kamëz, me 60.65 përqind të votave, ndërkohë që kandidati i Berishës ka marrë vetëm 35.11 % të votave.
Në Vorë Blerim Shera ka marrë 73.52 përqind të votave ndërsa Indrit Hoxha vetëm 26.48 përqind. Në Vorë ka përfunduar totalisht pasqyrimi i rezultatit.