Sot, Kuvendi miratoi ndryshimet ligjore për zhvillimin e startup-eve në Shqipëri. Nismat e inovacionit dhe projekteve teknologjike, të ndërmarra kryesisht nga të rinjtë, tashmë do të zhvillohen në një terren më të favorshëm ligjor. Ndryshimet që iu bënë ligjit aktual çojnë në një nivel më të lartë mbështetjen e Qeverisë ndaj startup-eve dhe projekteve të inovacionit në tërësi.

Sipas ndryshimeve ligjore të miratuara, një agjenci e posaçme në varësi të Ministrit, do të sjellë një energji më dinamike në mbështetjen e projekteve të startup-eve duke shkurtuar ndjeshëm kohën e shkëmbimit të informacionit, trajtimit të dokumenteve të aplikuesit dhe transparencës së plotë në vendimmarjen e financimit publik.
Këto ndryshime sigurojnë një klime të favorshme jo vetëm ligjore, por dhe social-ekonomike për përfshirjen dhe zhvillimin e talenteve rinore në fushën e Teknologjisë së Komunikimit dhe Informacionit si dhe inovacionit në tërësi.

Deri më tani janë mbështetur 6 bashki të vendit: Malësi e Madhe, Korçë, Dimal, Roskovec, Pukë dhe Bulqizë për krijimin e qendrave dhe programeve të inovacionit për të rinjtë. Është mbështetur shkolla e mesme profesionale Gjergji Canco për të ndërtimin e një ambienti dhe programi dedikuar teknologjisë së informacionit. 3 universitete kanë ndërtuar programe ndërkombëtare inkubimi dhe akselerimi. Janë mbështetur në total 29 startup-e në mënyrë direkte për zhvillimin e softuerë-ve ose teknologjive të reja të lidhura me bizneset e tyre. Së shpejti, një strukturë e Ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes që mbulon startup-et do t’i bashkëngjitet Piramidës si qendra më e madhe e inovacionit në Ballkan.
Ndërkohë, një nga risitë më të rëndësishme të ndryshimeve ligjore të miratuara sot në seancë plenare janë dhe lehtësitë fiskale për nomadët digjitalë në Shqipëri. Punonjësit lëvizës digjitalë nuk do të konsiderohen rezidentë tatimorë në Republikën e Shqipërisë për një periudhë prej 12 muajsh.

Në këtë realitet të ri digjital, Shqipëria po zhvillohet gjithnjë e më shumë si një destinacion i përshtatshëm për profesionistët digjitalë. Natyra e mrekullueshme, mikpritja dhe sjelljet tolerante ndaj të huajve, siguria dhe rendi, si dhe çmimet tejet konkurruese, ngrejnë klimën e duhur sociale për akomodimin e nomadëve digjitalë. Këta të fundit kanë ndikimin e tyre në ekonomitë e komuniteteve ku strehohen dhe një nga avantazhet janë dhe punësimet sezonale të të rinjve që mund t’u bashkëngjiten nomadëve digjitalë. Sipas platformës Kayak, në indeksin global ‘work from everywhere/puno nga kudo’ Shqipëria renditet e 15-ta midis 111 vendeve në rang botëror dhe e 9-ta në renditjen evropiane duke analizuar faktorë si: çmimet e produkteve lokale, jeta social-kulturore, kushtet klimaterike, udhëtimi si edhe mundësia për të punuar nga distanca.