Këshilli i Ministrave miratoi sot kriteret dhe procedurat për përzgjedhjen e zhvilluesit të parqeve teknologjike dhe shkencore.

Në vendimin e qeverisë thuhet se, procedurat e përzgjedhjes së zhvilluesit janë procedura konkurruese dhe procedura për përzgjedhjen e zhvilluesit në pronë private. Subjektet, të cilat do të paraqiten në konkurrim, duhet të plotësojnë kriteret administrative, teknike, financiare dhe kriteret për vlerësim.

Ndër kriteret teknike zhvilluesi duhet të ketë kryer punime të ngjashme, të ketë licenca profesionale që lidhen me ekzekutimin e punimeve, sipas objektit të kontratës, kualifikimet arsimore dhe profesionale të stafit përgjegjës për drejtimin e punimeve, etj.

Kriteret për vlerësim përfshijnë propozimin e projektit teknik, vlerësimin e ndikimit social, ekonomik dhe strategjik të projektit, impaktin mjedisor, grafikun, fazat dhe afatet e ekzekutimit të investimeve për zhvillimin e parkut, si dhe planbiznesin.

Kur trualli ose pasuritë e tjera të paluajtshme, në të cilën do të shpallet parku, janë pronë private, kandidati për zhvillues paraqet pranë institucionit përgjegjës kërkesën për shpalljen e parkut, e cila shoqërohet me studimin e fizibilitetit dhe dokumentacionin e pronësisë.

Institucioni përgjegjëse bën vlerësimin paraprak të propozimit, me kusht që projekti t’i shërbejë interesit publik dhe përshtatet me strategjitë sektoriale apo rajonale të zhvillimit për përfitimin e njohurive të reja teknologjike apo shkencore.

Në rast se projekti do të realizohet në pasurinë me statusin pronë private, jo në pronësi të subjektit kanditat për zhvillues, kandidati për zhvillues duhet të dorëzojë edhe aktmarrëveshjen paraprake, të lidhur ndërmjet kandidatit për zhvillues dhe pronarit të pasurisë.