Dhjetëra serbë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviçit u vendosën të premten para godinës së komunave për të parandaluar hyrjen e kryetarëve të rinj. Policia e Kosovës, përmes një deklarate, njoftoi se po asistonte kryetarët për të hyrë në objektet zyrtare të komunave përkatëse.

Mirëpo, situata u përshkallëzua në dhunë. Autoritetet policore përdorën gaz lotsjellës dhe shok-bomba për të shpërndarë turmat. Situata e përshkallëzuar solli reagimin e ashpër të Shteteve të Bashkuara dhe të BE-së, që cilët drejtuan gishtin drejt Prishtinës zyrtare si fajtore. Analisti Skënder Minxhozi, duke komentuar këtë situatë në studion e ABC News, tha se Kosova nuk mund t’i zgjidhë vetë problemet me Serbinë. Duke iu referuar kritikave të ndërkombëtarëve ndaj qeverisë së Kovosës, Minxhozi theksoi se Albin Kurti duhet t’i bëjë mirë llogaritë me aleatët.

“Jo Kosova nuk mund t’i zgjidhë vetë problemet me Serbinë. Kosova ka në anën e saj të drejtën dhe logjikën por jo forcën. Ndërkohë Serbia ka në anën e saj forcën dhe shumë pak të drejtë dhe logjikë sa i përket të paktën shumë prej çështjeve që ndajnë dy palët. Kosova duhet të hedhë me maturi çdo hap të saj.

Albin Kurti nuk mund dhe nuk duhet të sillet sikur është ende në opozitë. Nuk duhet të sillet si një lider sovranist, si një person irracional dhe emotiv. Nuk duhet të sillet me një kokëfortësi, e cila shumë shpesh e ka vënë në kurs përplasjeje me amerikanët dhe evropianët, dhe ka paguar politikisht në të kaluarën jo fort të largët edhe duke u larguar nga pushteti.”, tha Minxhozi.

“Kurti duhet t’i bëjë mirë llogaritë me aleatët e tij dhe të mos i ndahet kursit të tyre dhe një dialogu të vazhdueshëm me ta, me evropianët dhe kryesisht amerikanët, të cilët janë krijuesit e shtetit të dytë shqiptar de facto në Ballkan”, shtoi më tej analisti.