Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë deklaroi sot se tuneli i 7, pjesë e Rrugës së Arbrit, është hapur, duke shkurtuar kështu në 1 orë e 20 minuta distancën nga Dibra në Tiranë.

“Rruga e Arbrit vazhdon të mbetet në fokusin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, është një nga projektet më të rëndësishme të zhvillimit ekonomik. Ka qenë një projekt kompleks, me gjeologji komplekse, të cilat kanë kërkuar fokusin e gjithë grupeve inxhinierike e nga ana tjetër edhe supervizimin tim personal. Tuneli i shtatë, pjesë e kësaj rruge, do të hapet sot për herë të parë. Me hapjen e kësaj pjese të Rrugës së Arbrit distanca nga Dibra në Tiranë do të jetë më pak se 1 orë e 20 minuta, pasi do evitohet Qafa e Buallit”, tha Balluku në një intervistë në media.

E pyetur se kur do përfundojë Rruga e Arbrit, ministrja Balluku tha se me hapjen e tunelit të shtatë, projekti quhet pothuajse i përfunduar, pasi ende nuk është hapur tuneli i Murrizit. Sipas saj, në këtë tunel pritet të hapen edhe 300 metra, të cilat mund të marrin edhe disa muaj.

“Rruga e Arbrit me këtë pjesë, si projekt quhet pothuajse i përfunduar. Mbeten edhe 300 m në tunelin e Murrizit. Është një gjeologji problematike, e cila nuk është shfaqur gjatë studimit, në vitin 2017-2018. Sot kompania punon pa marrë shtesë fondesh për të mbyllur projektin dhe Rruga e Arbrit kushton aq sa është firmosur kontrata në fillim. Punimet mund të zgjasin në këtë pjesë të tunelit edhe për disa muaj”, deklaroi ajo.

Balluku theksoi se ndërsa punimet po vijojnë në tunelin kryesor të Murrizit, tuneli i emergjencës 3.1 kilometra është i hapur.