Flitej prej kohësh por tashmë vjen edhe zyrtarizimi: Andres Iniesta do të largohet nga Vissel Kobe në muajin korrik.

Mesfushori i madh spanjoll, vendosi ta mbyllte me Barcelonën në vitin 2018 për t’u transferuar në futbollin japonez. Me anë të një komunikate zyrtare, klubi aziatik ka lajmëruar largimin e spanjollit, të cilin e falënderon për 5 vitet e kaluara te Vissel Kobe.

“Pesë vite që kur erdhe te Vissel Kobe. Ne i shprehim mirënjohjen tonë të përzemërt Iniestës, i cili ka dhënë një kontribut të madh në klubin tonë”. Gjithsesi, 39-vjeçari, i cili kohë më parë ka shprehur dëshirën për t’u bërë trajner në të ardhmen, nuk ka ndërmend të tërhiqet nga futbolli aktiv.

E ardhmja e Iniestës, i cili fitoi gjithçka me Barcelonën dhe kombëtaren spanjolle, pritet të jetë në SHBA ose në Lindjen e Mesme.
Vetë lojtari ka reaguar në rrjetet sociale, aty ku shkruan: “Dita e emocioneve, dita për të kujtuar gjithçka që përjetova në Japoni për 5 vite. Shumë faleminderit klubit, shokëve të skuadrës, stafit dhe tifozëve për mbështetjen tuaj të pakushtëzuar”.