Udhëheqësi prej dy dekadash në Turqi, Recep Tayyip Erdogan do të përballet sërish sot me kandidatin e opozitës, Kemal Kilicdaroglu në balotazhin e zgjedhjeve presidenciale të së dielës.

Raundi i parë na la gtë kuptonim se do të jetë një garë e ngushtë, ku Erdogan po përballet me presion të paparë pas 20 vjetësh në pushtet. Në vend të kësaj, Erdogan sfidoi pritshmëritë dhe për pak nuk arriti fitoren e plotë në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale.

Presidenti aktual, Recep Tayyip Erdogan, do të përballet kokë më kokë me rivalin e tij të opozitës, Kemal Kilicdaroglu, në balotazhin e 28 majit. Në rrethin e parë, më 14 maj, Erdogan ka siguruar 49.51 për qind të votave – qartazi më shumë se Kilicdaroglu me 44.88 për qind, por, për të fituar garën plotësisht, duhen më shumë se gjysma e votave.

Zgjedhjet në Turqi po ndiqen ndërkombëtarisht për të parë drejtimin që do të marrë vendi. Nën sundimin 20-vjeçar të Erdoganit, anëtarja e NATO-s ka kultivuar marrëdhënie më të ngrohta me Rusinë, është bërë më pak laike dhe ka anuar kah autoritarizmi, me kontroll të madh mbi media dhe gjyqësor. Qeveria e Erdoganit ka akuzuar, po ashtu, Perëndimin se ka bërë komplot për ta rrëzuar atë, ndërsa kandidatura e Turqisë për anëtarësim në BE ka kohë që është ngrirë. Kilicdaroglu, i cili ka një qëndrim më pro-perëndimor, ka premtuar se do ta riorientojë vendin si një demokraci dhe se do t’i përmirësojë marrëdhëniet me aleatët e NATO-s.

Fitorja do t’i jepte Erdoganit mandatin e tretë. Herë si kryeministër, herë si president, ai ka qenë në pushtet qysh në vitin 2002. Kjo do të thotë se ai ka udhëhequr vendin më gjatë se çdo president turk dhe madje shumë sulltanë otoman.

Fitorja e Kilicdaroglut, në anën tjetër, do të simbolizonte dëshirën e një pjese të madhe të elektoratit për ndryshime. Qytetarët turq do t’u drejtohen kutive të votimit edhe në fund të marsit të vitit të ardhshëm, për zgjedhjet lokale. Dy partitë kryesore të opozitës në të kaluarën, kanë propozuar kandidatë të përbashkët, duke ia dalë të fitojnë postet e kryebashkiakëve në zonat kryesore metropolitane. Analistët thonë se ndarja e mundshme e opozitës do t’i mundësonte partisë së Erdoganit të zgjeronte kontrollin e saj edhe në bashkitë e mëdha, si Stambolli dhe Ankaraja. Në SHBA, senatori Chris Murphy, anëtar i Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, ka thënë se Turqia do të jetë një partnere jetike e SHBA-së, pavarësisht se kush do ta udhëheqë këtë vend.