Në Elbasan policia ka raportuar disa situata në qendra të ndryshme votimi.

– Komisioni i Qendrës së Votimit nr. 2422/1, në Mengel, Elbasan, ka kërkuar ndihmë nga Policia e Shtetit, pasi vëzhguesit ishin paraqitur pa beixh për procesin zgjedhor dhe pa dokument identifikimi. Policia ka ndërhyrë në Qendrën e Votimit dhe pas verifikimit të situatës, vëzhguesit që nuk kishin mjete identifikimi janë zëvendësuar me vëzhgues të tjerë.

-Komisioni i Qendrës së Votimit nr. 2930/01, në Bradashesh, Elbasan, ka kërkuar ndihmë nga Policia e Shtetit, për të larguar nga Qendra e Votimit, shtetasin E. Ll., pasi dyshohej se po ndikonte tek votuesit. Shërbimet e Policisë, me vendim të KQV-së, kanë shkuar menjëherë në këtë Qendër Votimi, ku pas verifikimit ka rezultuar se E. Ll. kishte ndihmuar fqinjin e tij për të votuar, por nuk kishte ndikuar në zgjedhjen e tij.

-Komisioni i Qendrës së Votimit nr. 2373, në lagjen “Partizani”, ka kërkuar ndihmë nga Policia, pasi njëri nga vëzhguesit e Qendrës së Votimit kishte debatuar me operatoren e kësaj Qendre. Shërbimet e Policisë, me vendim të KQV-së, kanë shkuar menjëherë në këtë Qendër Votimi, ku pasi kanë sqaruar situatën, janë larguar nga Qendra e Votimit, po me vendim të Komisionit të Qendrës së Votimit.
Sipas policisë, për të trija rastet është vënë në dijeni edhe prokurorit i gatshëm.