Prej një jave në Shqipëri po mbahet stërvitja më e madhe ndërkombëtare ushtarake, Defender Europe 23. Nën drejtimin e SHBA, kjo stërvitje ka natyrë mbrojtëse dhe fokusohet në përgatitjen e përbashkët në përgjigje të krizave.

“Rreth 600 forca operacionale shqiptare janë angazhuar këtë vit në Defender 23. Për herë të parë Shqipëria ka marrë edhe drejtimin e një prej task-forcave, ky shihet si një tregues besimi që NATO ka për përkushtimin dhe profesionalizmin e personelit shqiptar”, raporton gazetarja e Tv Klan,Dorina Halili.

“Forcat tona janë duke u trajnuar së bashku me armatim dhe teknologji të NATO-s e cila rrit kapacitetin e tyre luftarak për të qenë një forcë e besueshme dhe e gatshme për t’u përballur me çfarëdo lloj misioni”, thotë Nënkoloneli Roland Shuli, zëvendësshef i Degës së Operacioneve në Shqipëri.

Pjesë e kësaj stërvitjeje janë edhe forcat e sigurisë së Kosovës dhe Maqedonisë së veriut.“Ne kemi dëshmuar se nuk jemi vetëm konsumues të sigurisë, jemi gjithashtu ofrues të saj. Duke parë situatën globale dhe luftën Rusi-Ukrainë ne mund të shohim dhe aspekte të tjera të kërcënimeve rajonale kështu që është shumë e rëndësishme të kemi një ndërveprueshmëri mes nesh”, shprehet Togeri Ilirjane Bunjaku, oficer shtabi për Informacionet, Kosovë.

“Këto ushtrime janë një mundësi e shkëlqyer për anëtarët pjesmarrës për t’u trajnuar dhe për të përmbushur plotësisht detyrimet e NATO-s”, thotë nënkoloneli Mitko Popov, shef i Degës së Operacioneve, i Maqedonisë së Veriut.

Stërvitje të tilla nuk janë të lidhura drejtpërdrejtë me situatën aktuale në Evropë, por synojnë të ndërtojë gatishmëri ushtarake.

“Ne stërvisim aftësitë e brendshme ushtarake të vendeve aletate dhe Shteteve të bashkuara të Amerikës, por kjo nuk është e lidhur me ndonjë ngjarje aktuale. Defender 23 teston mundësitë e bashkëpunimit mes vendeve për t’iu përgjigjur krizave”, shprehet Nënkoloneli Willie Ramsey, i Brigadës së Ndihmës së Forcave të Sigurisë së SHBA.

Forcat e Armatosur Shqiptare kanë vënë në dispozicion bazat ushtarake, hapësirat ajrore dhe detare. Stërvitja e përbashkët që realizohet për herë të dytë në Shqipëri, do të vazhdojë deri më 2 Qershor. Pjesë e Defender Europe ‘23” janë rreth 25 mijë trupa nga 26 vende aleate.