Nga Alba Malltezi/

Shqipëria nuk është e gjitha socialiste. Shqiptarët nuk u gdhinë papritur mavi. Mbrëmja e 14 majit dhe mëngjesi i 15-s ishin si një reagim rubeole, ajo më ngjitësja dhe aq acaruese sa i gjithë trupi bëhet krejt mavi. Këto zgjedhje ishin për Shqipërinë manifestimi i alergjisë kundër berishizmit dhe hileqarëve rreth tij. Pas kësaj, nisin ditët e shërimit.

I pësuam e i duruam edhe pse kishin mbërritur në format më acaruese të provokimeve njerëzore, ashtu si një virus i keq. Më i keqi dhe më i bezdisuri për një shoqëri. Por më në fund ky shpërthim nuk ishte gjë tjetër veçse reagimi i një trupi që kërkon të shërohet ndaj të keqes. Pas kësaj, vetëm ditë më të mira mund të vijnë. Sepse berishizmi nuk është opozitë, por një virus i keq që e kishte mbërthyer atë dhe bashkë me opozitën gjithë Shqipërinë. Antitrupat tashmë janë aty, brenda opozitarëve, mes atyre që u rebeluan në atë mjedis të mbytur e pa fije shprese, por gjetën forcën për ta kundërshtuar, për ta refuzuar, për t’u shkëputur. Aty janë shqiptarët, individët që opozitën do ta ringrenë me indet e paprekura të berishizmit të rrezikshëm e manipulues.

Nuk ka asgjë për t’u habitur nëse shohim sot një Shqipëri të ndryshuar, shohim mavi Tropojën, Shkodrën. Me siguri është një reagim, reaksion, një gjëndje e përkohshme siç është i përkohshëm çdo virus që prek qëniet njerëzore. Berishizmi ishte për 30 vite virusi ynë, ose më mirë, i njërës prej partive kryesore shqiptare dhe si çdo virus modifikon gjendjen reale të personave që sulmon. Por e gjitha kjo nuk do të mund të ndodhte pa diagnozën e miqve tanë, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Vendimtarë ishin ata, “gringot” siç i quan një gazetar me emër. Kush nga ne pa ndihmën e tyre do ta kishte pasur forcën t’i vinte një emër, një vulë, një diagnozë virusit berishizëm për shqiptarët: “Non grata”. Ai virus sulmonte egër pas çdo kritike, pas çdo doze “antibiotiku” që e gëlltiste dhe me shpërfillje vetëm shëndoshej, pasurohej, shkatërronte drejtësinë, median, arsimin, çdo shtyllë shtetërore që shërbente për t’i bërë shqiptarët më të pavarur, më të fortë dhe me logjikë.

Rezultati i zgjedhjeve të 14 majit ishte reagimi i shoqërisë sonë pasi SHBA injektoi vaksinën kundër “non gratës” dhe hileqarëve përreth tij duke i identifikuar. Shqipëria u zgjua mavi pas 14 majit, por ngadalë do të rimarrë ngjyrat e saj të natyrshme. Ato ngjyra që e bëjnë një vend të bukur, zemërgjerë, të jashtëzakonshëm, por që kërkon vetëm pak qetësi dhe herë pas here, ndonjë antibiotik. Si ai i SHBA, apo shoqërive të çertifikuara, si më demokratike të botës. Tani duhet të shërohemi me forcat që gjejmë brenda vetes.