Nga Jakin Marena

Opozita doli e rrënuar nga zgjedhjet e 14 majit për pushtetin vendor. Akoma më të rrënuara dolën të dy pjesët e PD, njëra e udhëhequr nga Sali Berisha, ndërsa ajo zyrtare e udhëhequr nga Enkelejd Alibeaj.

Edhe sikur të mblidheshin bashkë të gjitha votat që kanë marrë më 14 maj, duke shtuar dhe ato të Partisë së Lirisë të Ilir Metës, sërish mbështetja për opozitën shqiptare në këto zgjedhje ka qënë në pikën më të ulët. As tek 40 përqindshi të gjitha bashkë s’arrinin, rezultat me ‘mik’ dhe ky!

Kjo u vu re në rezultatin përfundimtar zgjedhor për krerët e bashkive, ku nga 61 bashki, opozita mundi të marrë vetëm 7 prej tyre, kryesisht të vogla dhe pa ndonjë peshë specifike në elektoratin shqiptar. Ndërsa 53 bashki i fitoi PS, një MEGA, me mbështetjen totale të PS, që e kishte lënë zonë të lirë për këtë segment politik të minoritetit. Pra një rrënim total për opozitën.

Por dramë ka qënë dhe rezultati i të dy PD-vë në garën për këshillat bashkiake, pikërisht aty ku vota jepet për subjektin politik. Sipas disa përllogaritjeve standarde, PD-në e Alibeajt me atë të Berishës e ndanin vetëm 46 mijë vota diferencë. Anipse Alibeaj në disa bashki s’kishte dërguar as listat për këshilltarë bashkiakë, duke bërë që dhe ato pak vota të jepeshin për PD e Berishës.

Duke qënë se shqiptarët nuk janë budallenj, paçka se Berisha i konsideron të tillë, demokratët kësaj gjendjeje ku i katandisi lideri i tyre historik dhe ata që janë rritur nën hijen e tij në të dy copat e PD ku gjenden, iu përgjigjën me braktisje, bojkot dhe refuzim total.

Nuk janë pak për një parti politike, akoma më keq në zgrip siç është PD, që të të braktisin mbi 250 mijë votues. Është kataklizmë dhe tregon ‘rënien e lirë’ të një force politike, ku PD për hir të së vërtetës me kohë dhe me vakt e ka përfunduar misionin e vet.

Dhe nëse kreu i komanduar i PD zyrtare Alibeaj nën peshën e përgjegjësisë së rezultatit negativ që mori më 14 maj, dha dorëheqjen dhe hapi procesin për analizën e zgjedhjeve si dhe zgjedhjen e forumeve, strukturave e deri kryetarin e partisë, duke treguar integritet politik, Berisha deklaroi me këmbëngulje se nuk mban asnjë përgjegjësi, dhe se dorëheqjen nuk do ta japë kurrë.

Nuk jemi shumë të qartë se kë fajëson më shumë Berisha për humbjen katastrofale dhe dërgimin e PD drejt destinacionit të fundit politik të saj si forcë politike.

E themi këtë sepse në panelet televizive, në ekrane dhe në prononcime publike që nga Berisha dhe deri tek ‘ushtari’ më i fundit nën hyqmin e tij, herë thonë se ua ka fajin populli që nuk i voton, herë ua ka fajin ‘Alibasha’ që përçau votën, megjithëse e theksuam që dhe sikur të mblidheshin të gjitha votat e opozitës bashkë, sërish te 40 përqindshi arrinin dhe nuk e rrezikonin PS-në e udhëhequr nga Rama dhe fitoren e mazhorancës.

Por akuzojnë dhe mediat, akuzojnë dhe SHBA-të dhe mbi të gjitha akuzojnë Edi Ramën se u ka vjedhur votat. Kjo e fundit është një ‘melodi’ që dëgjohet sa herë që humb Berisha, dhe nuk kanë qënë të pakta humbjet në këto 10 vite. Ka humbur të gjitha garat elektorale opozita dhe tashmë alibia për humbjen në zgjedhje e Berishës është konsoliduar dhe ngritur në “institucion”.

Dhe në vend që të merret në analizë humbja më 14 maj, të nxirren përgjegjësitë dhe të gjendet ‘moduli’ i bashkimit të PD dhe të gjithë opozitës, pasi zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 2025-sës janë në prag dhe për opozitën gjithnjë koha është e pamjaftueshme për t’u përgatitur për garën elektorale, Berisha bën ‘harakiri’ dhe tallet me demokratët e mbështetësit e tij. Që të kuptohemi njëherë e mirë, nëse kërkon të ndikosh te Berisha për ndonjë vendim, duke t’i thuash të kundërtën, pasi ai nuk bën kurrë atë që i kërkon, dhe sikur të kesh të gjithë të drejtën e Zotit. Në një vend normal, për të parandaluar shuarjen e subjektit politik që drejton, pas humbjes rrënuese dhe gjithnjë e më të frikshme, lideri ‘hap krahun’ pra jep dorëheqjen. Berisha nuk e bën një gjë të tillë, as e çon në mendje.

Madje dhe kur ia kërkojnë një akt të tillë politik që do të çlironte opozitën nga pengmarrja, Berisha përgjigjet: kurrë nuk jap dorëheqje. Dhe e ka me gjithë mend këtë që thotë, sa nga hallet që ka në kurriz si ‘non grata’ në SHBA, Britaninë e Madhe dhe si i kallëzuar penalisht në SPAK për një varg veprash ku është nën akuzë, sa dhe nga fakti se ai bën gjithnjë të kundërtën e asaj që i thonë. Ndaj themi që i duhet kërkuar varianti që nuk duhet, për të mbërritur tek varianti normal dhe i duhur.

Nga ana tjetër, Berisha po kërkon përmes ‘fijeve’ të tij që ka në PD zyrtare e që e destabilizuan këtë subjekt politik të udhëhequr nga Alibeaj gjatë fushatës dhe në zgjedhje, që ta uzurpojë dhe ta përfshijë në grupin e tij brenda PD që kryeson, duke u bërë thirrje për dorëzimin e vulës dhe logos së PD dhe duke tentuar përmes makinacioneve për të kapur kreun e grupit parlamentar. Gjë që nuk arriti pasi shpresojmë se zgjedhja e Bardhit në këtë post, do ta shuajë dëshirën e Berishës të ta kapur. Por të gjithë jemi të bindur se, edhe nëse i merr këto pjesë apo struktura nën hyqëm, sërish nuk e rrezikon në asnjë moment Edi Ramën dhe mazhorancën socialiste. PS do të jetë në pushtet për sa kohë që të jetë Berisha në krye të grupimit më të madh në PD, Rama do të jetë partneri i vetëm me të cilin do të komunikojnë, bashkëpunojnë e ndërveprojnë ndërkombëtarët. Pra Rama do të mbetet pika e referimit e miqve tanë të mëdhenj, përjetësisht. E po aq dhe në pushtet! Por ajo që pamë afër mesditës të së premtes i ka tejkaluar të gjitha parashikimet. Të thuash bëri teatër është pak, të thuash se është i destabilizuar është akoma më pak. Reagimi i Berishës ka qënë ai i talljes për të gjithë ata që kërkojnë largimin e tij, teksa ka marrë pjesë në konferencën përkujtimore të 50 vjetorit të revoltës anti-komuniste në burgun e Spaçit.

E thamë në mënyrë të zbutur që Berisha mori pjesë, madje si ‘lektori’ kryesor në këtë konferencë që s’ka asnjë lidhje me analizën e zgjedhjeve, rezultatin rrënues të 14 majit, por dhe për ish të përndjekurit politikë në Shqipëri, të cilëve sa ishte në pushtet Berisha, ka qënë 13 vite president dhe kryeministër i Shqipërisë, nuk u dha asnjë gjë, nuk i trajtoi si njerëz dhe i la në mëshirë të fatit. U dha letra me vlerë, por që s’kishin asnjë verë, aq sa dhe vetë ish të përndjekurit i quajtën “letra me vrimë”. E vërteta e kulluar është se këtë konferencë përkujtimore për revoltën anti-komuniste në burgun e Spaçit e ka organizuar vetë Sali Berisha, për të zhurmuar zërat që kërkojnë dorëheqjen e tij nga politika si njeriu që rrënoi opozitën shqiptare, por dhe për të dhënë mesazhe, me mendjen e tij, të koduara, se ka ardhur koha për të reaguar ndaj “diktaturës së Ramës” dhe koha e ‘heronjve’.

Ndoshta dhe pse është trembur nga lajmet se policia do ta merrte me forcë për ta dërguar në gjykatë, pasi është i akuzuar nga Veliaj për shpifje, pikërisht kur në këtë orë kur ai zgjodhi të përkujtonte 50 vjetorin e grevës së të burgosurve të Spaçit. E ka marrë si masë mbrojtëse, duke kërkuar vëmendjen e kamerave dhe për ta përdorur si show politik, shans që nuk iu dha. E themi këtë sepse për hir të së vërtetës revolta e burgut të Spaçit ka ndodhur më 21 maj 1973 dhe ka vazhduar për disa ditë, dhe jo më 19 maj 1973. Por Berisha nuk e ka problem për datat, mjafton të gjejë një tribunë dhe disa njerëz para të cilëve të flasë, që të sulmojë kundërshtarin politik të sulmojë të vetët brenda PD dhe kush t’i shkojë në mendje, thjeshtë dhe vetëm për të ‘amortizuar’ sa më shumë peshën e humbjes më 14 maj, zemërimin e demokratëve, të cilët janë mbi 250 mijë të tillë, që kërkojnë me të madhe largimin e tij nga politika, që do të shpëtonte PD nga pengmarrja prej tij këtu e 32 vite, sa i ka zënë frymën. I vendosur përballë disa përfaqësuesve të ish të përndjekurve politikë, pjesa tjetër që e dëgjonin ishin strukturat e “Rithemelimit”, Berisha përdori të gjithë arsenalin e sulmeve ndaj kundërshtarit politik, me shpresën e ‘ringjalljes së heronjve të Spaçit’ për të “shembur diktaturën e Ramës”. Pavarësisht se heronjtë e vërtetë, baza e demokratëve dhe e mbështetësve të PD prej 250 mijë vetësh, pasi e refuzuan më 14 maj t’i japin votën, tani kërkojnë dorëheqjen e tij. Dhe ky refuzim bëri që Berisha të humbë Shkodrën bastionin 32 vjeçar të demokratëve dhe mbi të gjitha dhe vendlindjen e tij Tropojë. Ka qënë tepër sidues refuzimi për Berishën, madje rrënues.

Ata që ishin në sallën e konferencës nuk ishin heronj, pasi një pjesë ishin të lodhur nga vitet dhe hallet, mungesa e vëmendjes e qeverisë së PD për t’i dëmshpërblyer për vuajtjet nën diktaturë, dhe pjesa tjetër e sallës, më e madhe në numër, ishin përfituesit e posteve në kurriz të tyre. Të cilët kanë shumë për të humbur që të bien ‘dëshmorë’ për familjen Berisha. Kanë bërë lekë pafund gjatë kohës së qeverisjes së PD dhe jeta me këto lekë, pavarësisht se janë para të pista, është më e ëmbël se rënia “dëshmor” për hallet e Berishës. Në fund të herës ajo që duhet të mësojnë demokratët por dhe shqiptarët është se Berisha nuk ka ndërmend të tërhiqet, pavarësisht se është thuajse i vetëm e pa mbështetës. Ka vendosur ta çojë deri në fund misionin e tij për shkatërrimin e PD, duke mos e lënë që të ringrihet, të bëjë hajër dhe të pretendojë për të ardhur në pushtet. Ndonëse thotë se është gati të votëbesohet sipas statutit, kur humb zgjedhjet vendore. Të gjithë e dinë rezultatin e ‘votëbesimit’, votojnë ata që mendojnë me kokën e Berishës dhe nuk pritet asnjë reagim prej tyre.

Ndaj është më e udhës që të mos i kërkohet më dorëheqja, sepse në të gjallë të tij nuk shkulet nga drejtimi i grupimit më të madh në PD. Le të presë PD ndihmën e Zotit, se ata ‘rob’që janë në PD, janë të djegur të gjithë. Askush nuk guxon ta shohë drejt në sy jo më t’i thotë: largohu nga posti i kryetarit të grupimit, apo dhe nga fijet e fshehura të PD zyrtare. Berisha ka vendosur të tallet deri në fund dhe pafund me demokratët dhe shqiptarët, të cilët kanë gjetur rrugën e vetme për t’ia kthyer me të njejtën monedhë talljen, pa asnjë qeder për veten, duke e braktisur përfundimisht, refuzuar dhe bojkotuar. “Paketa’ e parë prej 250 mijë refuzuesish startoi më 14 maj, të presim sa do të jetë ‘paketa’ e dytë e braktisjes në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025. Gjithnjë nëse Zoti qëndron ‘indiferent’ atje lart, pa zbritur që të ‘takohet’ me Berishën për t’i mbushur mendjen që ta marrë me vete.