Kryeministri Edi Rama i është kundërpërgjigjur kreut të Rithemelimit, Sali Berisha, sa iu përket akuzave për manipulim të procesit zgjedhor digjital në Kamëz.

Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Rama ka publikuar pamje nga “superskuadra që organizon sondazhet, studion shifrat, analizon trendet e pjesëmarrjes, ndjek të dhënat e terrenit në kohë reale dhe projekton rezultatet me përafërsi mbresëlënëse në bazë algoritmesh shkencore”.
Sipas kreut të qeverisë, kjo ndodh “ndërsa të tjerët paralajmërojnë fitoret nëpër tribuna duke parë filxhanin e dëshirave të tyre dhe pastaj kur dalin rezultatet nga kutitë, vazhdojnë filxhanosen nëpër ekrane me dëshpërimin e avazit bajat të regjimit, që u grabiti befasisht fitoren imagjinare me kthetrat e krimit”.