Barcelona fitoi thellë 3-0 me Mallorcan në javën e parafundit të La Ligas, e fundit në “Camp Nou” për këtë sezon, teksa stadium mitik i katalanasve do t’u nënshtrohet punimeve që do të zgjatin të paktën një vit.

Një mënyrë e mirë për të përshëndetur dy ikona të klubit “blaugrana”, Jordi Alban dhe Sergio Busquets, të cilët nuk do të jenë më pjesë e Barcelonës me përfundimin e sezonit. Sa i përket kronikës së ndeshjes, Barcelona e zgjidhi shumë shpejt teksa Ansu Fati realizoi dy gola të shpejtë në minutat 1’ dhe 24’. Në rastin e parë e dërgoi topin në rrjetë pas një aksioni model, ndërsa në dyfishimin e rezultatit u shërbyer nga Lewandowski.

Nga minuta e 14-të, Mallorca luajti me një lojtar më pak për shkak të dëshkimit të Ndiaye me karton të kuq. Në superioritet numerik, Barcelona e pati të lehtë për ta menaxhuar lojën, madje shënoi edhe një gol të tretë me anë të Gavit në minutën e 70-të.

Fiton edhe Atletico e Madridit 2-1 përballë Real Sociedadit. Antoine Griezmann zhbllokoi rezultatin në minutën e 37-të me një diagonale të pakapshme për portierin kundërshtar.

Golin e dytë të “Los Colchoneros” e realizoi Molina në të 73-tën, i asistuar pikërisht nga Griezmann.

Tri minuta para përfundimit të kohës së rregullt, Sorloth shkurtoi diferencën në 2-1, por pa mundur që ta shmangte humbjen.