Një adoleshent i njohur për videot e tij humoristike në rrjetin social “TikTok” është arrestuar pasi u bë virale një video ku ai hynte në shtëpinë e një familjeje pa marrë lejen e pronarëve në Londër.

18-vjeçari u identifikua dhe u ndalua mbrëmjen e djeshme pas një hetimi për pamjet në rrjetet sociale, ku shkruhej: Hyrja në shtëpi të rastësishme.

Në atë video shiheshin 2 të rinj teksa afroheshin dhe hynin në një shtëpi në Hackney në lindje të Londrës, pa lejen e pronarëve. Personi që filmon, ec nëpër kopsht dhe hyn në shtëpi përmes derës së përparme, ndërsa një grua e alarmuar pyet se çfarë po bën.

Ajo dëgjohet duke thirrur partnerin e saj, i cili përpiqet të largojë dy personat që shfaqen në video dhe dëgjohet të thotë “ne kemi fëmijë”. Adoleshenti filmon veten ulur në divanin e familjes përpara se të largohet përfundimisht.

Pamjet dhe sjellja shkaktuan shqetësim në Hackney të Londrës.