Nga Mero Baze/

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vazhdimisht të njëjtin problem me Albin Kurtin. Ato nisen të jenë në krah të tij në çdo iniciativë dhe befas gjenden përballë tij.

Kjo ka ndodhur dhe me zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri të Kosovës, disa javë më parë. Edhe pse zgjedhjet në komuna me shumicë absolute serbe, kryheshin pa kandidatë serb dhe ishin dukshëm jo legjitime nga pikëpamja politike, SHBA I mbështeti ato me nënkuptimin për të qenë një zgjidhje e përkohshme, pothuajse teknike,  për të ruajtur klimën e krijuar pas Marrëveshjes së Ohrit, me qëllim që në Vjeshtë të shkohej drejt bisedimeve thelbësore Kosovë Serbi dhe zgjedhjet të përsëriteshin në kushtet e legjitimitetit politik dhe juridik.

Edhe pse kryeministri Albin Kurti po sillet si “patriotë”  dhe mbron të drejtën kushtetuese për tu konstituar kryetarët e rinj shqiptar që do udhëheqin serbët, në fakt ai e di shumë mirë se po keqpërdor një proces delikat për të krijuar një konflikt të rënd I cili hedh në erë Marrëveshjen e Ohrit nënshkruar disa muaj më parë.

Zgjedhjet në Veri nuk kanë qenë të jashtëzakonshme vetëm për shkak të tërheqjes së serbëve nga institucionet por të pazakonta pasi serbët nuk morën pjesë në zgjedhje dhe “Kryetarët” e zgjedhur janë të votuar nga një pakicë legjitime për të qenë kryetar gjithëpërfshirës.

Këtë e dinë të gjithë përfshi dhe Albin Kurtin. E dinë dhe ndërkombëtarët. Mbi të gjitha e di dhe SHBA e cila pasi nuk e kundërshtoi procesin formal të zgjedhjeve farsë, rekomandoi që kryetarët e rinj të konsideroheshin zgjidhje teknike.

Dhe pikërisht këtu, në rrugën për të mbështetur Albin Kurtin ata u gjenden dje përballë tij derisa Sekretari Blinken u detyrua të bëj deklaratën më të rënd zyrtare kundër qeverisë së Kosovës që nga viti 1999.

Kjo I dha dorë Aleksandër Vuçiq, presidentit të Serbisë të zhytur në afera skandaloze korrupsioni dhe deri lidhje të errëta me mafien serbe, të shpëtoj nga telashet e ditës dhe të rishfaqet dhe ai si “patriot” njësoj si Albin Kurti. Me shoferët dhe autobuzat e Kosovës ai arriti të mbledh në Beograd serbët e tij në Kosovë, për të deklaruar kundërpërgjigjen për lojën e luftës nisur nga Albin Kurti.

E gjithë kjo ka pasi kanë rënë dakord në Ohër për të pranuar planin franko gjerman që parasheh normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe njohjen de facto të ndërsjellët.

Albin Kurti dhe Kosova ka si detyrim kryesor krijimin e Asosacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë si hap të parë ndërsa  Serbia ka detyrimet e saj lidhur me lëvizjen e lirë njohjen e pasaportave dhe moskundërshtimin ndërkombëtar të njohjes së Kosovës duke krijuar një situatë “de facto” të njohjes reciproke.
Albin Kurti ngjan i pasigurt të plotësoj detyrimet e veta në emër të Kosovës . Aleksandër Vuçiq po ashtu.

Është e qartë që ata po sillen si të penduar që kanë nënshkruar planin franko gjerman mbështetur nga SHBA për normalizimin e raporteve mes dy vendeve dhe duan ta bëjnë fakt të kryer gjendjen e luftës që të shpëtojnë nga detyrimet e tyre . Veçse në këtë lojë ka gjithmonë një fajtorë të parë dhe drama jonë është se fajtori këtë radhë u shpall ndërkombatrisht Kosova. U shpall nga SHBA  aleati kryesor I saj dhe nga vendet e tjera të BE.

Pas kësaj ai më së paku duket njeriu më joserioz për tu ulur në tavolina të rëndësishme ndërkombëtare ku negociohet për Kosovën dhe kjo nuk është pak për një shtet të ri, ekzistenca e të cilit vazhdon ende të negociohet. Kosova edhe më tutje ka nevojë mbi të gjitha për një lidership që ta besoj Perëndimi dhe të punojë me të dhe jo një kryeministër apo president, cilësia e parë e të cilëve është paaftësia për të qenë negociatorë të shtetit të tyre.

Është e qartë se të penduar janë të dy edhe Albin Kurti edhe Vuçiqi, por faji  I mbeti Kosovës. Nuk besoj se Albin Kurti ka dashur ta lehtësoj kaq shumë Vuçiqin nga hallet e tij të brendshme me këtë akt të papërgjegjshëm, duke I faturuar Kosovës rrezikun e dështimit të një nisme ndërkombëtare. Por deri në këto momente ja ka arritur të duket kështu.
Që të rikthehet aty ku ishte pas Marrëveshjes së Ohrit, do ti duhet të vras këtë kapardisjen mbi plehra të ditëve të fundit e fatkeqësisht të nënshkruaj gjëra që mund t’ia kishte kursyer Kosovës.

Qëllimi i itj final është. që kur të nënshkruaj gjithçka  të mos duket si tradhtar por si viktimë e presionit ndërkombëtar. Ndaj i duhet kjo lojë e ndyrë luftash në Veri.