Nënkryetari i Bashkisë së Elbasanit, Artur Guni, ka hedhur poshtë akuzat e PD në lidhje me rehabilitimin e rrugës “11 Nëntori”.
Përmes një deklarate, Guni i cilëson akuzat si gënjeshtra për qëllime elektorale.

“Disa kanë zgjedhur punën e disa të tjerë llafet! Bashkia e Elbasanit është në krye të detyrës e në respekt të kontratës që ka me qytetarët e saj vazhdon çdo ditë t’u shërbejë atyre. Teksa ne vazhdojmë punën, këto ditë kemi përballë ata që ishin zhdukur për 4 vite dhe tashmë kanë marrë përsipër të fabrikojnë lloj-lloj spekulimesh e akuzash qesharake. Perla e tyre më e fundit ishte fabrikimi i një akuze për gjoja dhënien nga Bashkia e Elbasanit të një procedure konkurruese një biznesmeni të arrestuar dhe se vet procedura paska qenë me flamur të kuq për mungesë konkurrence. I vetmi flamur i kuq në fakt është flamuri që tregon gjendjen e kapitulluar në të cilën kanë përfunduar ata që fabrikojnë spekulime të tilla me synim mashtrimin e opinionit publik për qëllime elektorale”, thekson numri dy I Bashkisë së Elbasanit.

Nënkryetari i Bashkisë thekson se opozita zgjedh me vetëdije të plotë që të mashtrojë qytetarët.

“Agjencia e Shërbimeve Publike, bashkia Elbasan ka publikuar në Sistemin e Prokurimit Elektronik (SPE) në datë 23.02.2023 Procedurën e prokurimit me objekt “Rikonstruksion i rrugëve në lagjen “11 Nëntori” me datë zhvillimi 10.03.2023. Në këtë procedurë kanë marrë pjesë 3 operatorë ekonomik. 1. “BE – IS” SH.P.K; 2. “BAJRAMI N.” Sh.p.k dhe 3. “ERGI” sh.p.k. Ndryshe nga sa pretendojnë fabrikuesit e akuzave, nga tre operatorët pjesëmarrës është skualifikuar vetëm një 1 operator ekonomik “BAJRAMI N.” Sh.p.k, për arsye të parregullsive në ofertë. Janë kualifikuar 2 operator ekonomik “BE – IS” SH.P.K dhe “ERGI” sh.p.k. Pas vlerësimit të ofertave dhe dokumentacionit është deklaruar fituese oferta e subjektit “BE – IS” Sh.p.k. Subjekti në fjalë ka dorëzuar sipas ligjit të gjithë dokumentacionin përfshirë vërtetimet e gjendjes gjyqësore (dëshmi penaliteti)”, sqaron nënkryetari I Bashkisë.

Ai thekson se pavarësisht nevojës se “foltores” së Elbasanit për të patur një kauzë për zgjedhjet pas braktisjes që i kanë bërë qytetarëve për 4 vite, Bashkia e Elbasanit e ka të pamundur të skualifikojë një operator ekonomik jashtë përcaktimeve ligjore. “Për ne ligji është i detyrueshëm, për ata ndoshta është fakultativ”, deklaroi Artur Guni.