Hartuesi i programit ekonomik të kandidatit Këlliçi, Klodian Muço ka deklaruar se rruga për të bërë transportin falas në kryeqytet, është shkurtimi i vendeve të punës në Bashkinë e Tiranës.

Duke folur në Report tv, këshilltari ekonomik i Këlliçit, nënvizoi shumë punonjës aktualë të administratës në Bashki duhen hequr pasi sipas tij e marrin rrogën kot.
“Buxheti i Bashkisë së Tiranës, shkon për pagat dhe shpenzime të administratës. Janë njerëz që marrin një rrogë kot. Si do e financojmë, do shkurtojmë shpenzimet administrative, do ketë reformë. Kemi bërë me laps dhe me letër, kaq na kushton, tani, kaq më vonë dhe ku do të dalin paratë”, tha Muço.

Një studim i kryer në vitin 2022 nga ekspertët gjermanë të GIZ-it – Agjencia Gjermane për Zhvillim vuri në dukje kostoja që duhet për të realizuar transport publik falas, duke përfshirë edhe përmirësimet e nevojshme, varion nga 91.5 milion euro deri në 114.1 mln euro. Një shifër e cila është e papërballueshme sot nga financat e Bashkisë së Tiranës.