Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takua me një delegacion të ekspertëve të Ballkanit Perëndimor nga organizata Këshilli Atlantik, të udhëhequr nga drejtori i qendrës në Evropë, Jorn Fleck.

Në njoftimin e qeverisë thuhet se kryeministri i njoftoi ata me rezultatet e qeverisjes dhe punën e këtyre dy viteve të qeverisjes në indekset ndërkombëtare.

“Kryeministri i njoftoi ata me rezultatet e qeverisjes dhe reflektimin e progresit të këtyre dy viteve të qeverisjes në indekset ndërkombëtare ku Kosova është radhitur e para në Ballkanin Perëndimor për sundim të ligjit, sipas World Justice Project dhe sikurse edhe për nga përmirësimi në të drejtat politike dhe liritë civile, sipas Freedom House. Po ashtu i njoftoi me progresin në ekonomi, rritjen mesatare për rreth 7% në dy vite qeverisje, rritjen e buxhetit dhe të ekonomisë dhe rritjen e eksporteve, duke theksuar se Kosova është dëshmi se demokracia dhe zhvillimi ekonomik shkojnë krah për krah. Në takim u bisedua edhe për zhvillimet në Kosovë, rajon dhe për procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Kryeministri e falënderoi për mbështetjen, kontributin dhe rolin e Këshillit Atlantik.