Në episodin e dytë të podkastit “Flasim” Kryeministri Rama bisedoi me gazetaren britanike Alice Taylor, e cila foli ndër të tjera edhe për ndryshimet që ajo ka parë në Shqipëri gjatë pesë vite e gjysmë, teksa ka ndërtuar jetën e saj në vendin tonë.

Taylor shprehu dëshirën për të rritur vajzën e saj në Shqipëri, vend që prej vitesh është shtëpia e saj.

Alice Taylor: Qartësisht, në 5 vjet e gjysmë ka pasur jashtë mase ndryshime. Disa prej tyre janë të mira, disa prej tyre nuk jam domosdoshmërisht tifoze e tyre. Është më e lehtë sot që t’i bësh gjërat këtu. Kështu edhe rrugët në mbarë vendin janë më të mira. Po, ka pasur ndryshime. Po sigurisht, ka gjëra që kur jeton këtu për një kohë të gjatë dhe zhytesh më shumë në këtë shoqëri dhe fillon t’i kuptosh, fillon të shohësh dhe dua që t’i paraprij diskutimit tonë, duke thënë se kritika ime dhe kemi folur për këtë, është rezultat i pasionit, sepse kur shkruaj një artikull, shkruaj sepse kam një ndjenjë të fortë të drejtësisë sociale, në qoftë se shoh diçka që më mërzit, mërzitem thellësisht… Kështu del ajo që shkruaj sepse unë dua që gjërat të ndryshojnë. Dua të rris vajzën time këtu. Dua të plakem këtu. Pra nuk dua të bëhem e bezdisshme thjesht për hir të kësaj.