Masimiliano Alegri në këtë periudhë, përveçse të merret me formacionin dhe zëvendësimet që dje si rrallëherë nuk i dhanë përgjigje në fushë, duhet të përkëdhelë dhe t’u japë zemër edhe lojtarëve të tij. Këtë po bën prej një kohe të gjatë me Vlahoviçin që ka harruar se çfarë është goli, përplaset dhe më pas fal Paredesin, ndërsa dje ka marrë në mbrojtje Nikolo Faxholin, që shpërtheu në lot pas gabimit që solli golin e Sasuolos.

“Reaguam vetëm pas një ore lojë të shëmtuar, në një ndeshje që ishte ndoshta më e rëndësishmja për renditjen, deri në këtë pjesë të sezonit. Dy humbje radhazi nuk na çojnë askund, por mesa duket është edhe faji im për këtë, sepse ndoshta euforia në disa raste na ka bërë të harrojmë se ku ndodhemi.

Faxholi në lot? Nikolo thjesht duhet të rrijë i qetë, pasi të gjithë bëjmë gabime dhe mbi të gjitha nuk ishte ai përgjegjësi për humbjen tonë. E gjithë skuadra ishte jashtë loje, jashtë skemave, gabuam shumë, por tani duhet të nisim të mendojmë ndeshje pas ndeshjeje, pasi kemi ende rrugë për të bërë. Fatmirësisht, disa sinjale pozitive morëm nga Kieza, por edhe nga Pogba që janë gati për t’u rikthyer dhe në këtë mënyrë do të kemi më shumë alternativa, duke nisur nga ndeshja e Ligës së Europës me Sportingun e Lisbonës, ku kemi një rezultat të ndeshjes së vajtjes për të ruajtur dhe për t’i dhënë vazhdimësi, për të arritur gjysmëfinalet e turneut.

Pogba titullar të enjten? Tani të mos bëjmë shaka. Për atë do të ishte një sukses të luante 30 dhe ky është objektivi fillestar”.

Në fund, duke qenë se vendimi i gjykatës për apelimin e 15 pikëve të plusvalencave është të mërkurën, Alegri nënvizon:

“Duke parë se si e nisëm sezonin, unë i thashë futbollistëve të mi se objektivi që na kishte mbetur ishte ai që të renditeshim në fund përpara klubeve milanezë. Por papritur e gjetëm veten 9 dhe 11 pikë larg tyre nga një vendim që na ra si një gur i rëndë mbi shpinë dhe në vend që të fitonim edhe ndeshje të kalibrit tonë humbëm sërish pikë, ndonëse asnjëra nuk më dhemb sa kjo me Sasuolon, ku mund të kishim lëvizur bindshëm renditjen tonë”, përfundoi Alegri.