Italia feston sot 78-vjetorin e Çlirimit. Kryeministrja e Italisë, Georgia Meloni ka dhënë mesazhin e saj duke thënë se do të shoqërojë presidentin Mattarella në ceremoninë tradicionale të vendosjes së kurorës në Altare della Patria, ndërsa ministrat e qeverisë do të marrin pjesë në festimet e tjera të planifikuara institucionale.

Në një letër për ‘Corriere’, Meloni dha mesazhin e saj duke thënë se Italia është një vend i lirë dhe demokratik që nuk kujton me nostalgji lëvizjet fashiste.

“Prej shumë vitesh dhe siç e pranon çdo vëzhgues i ndershëm, partitë që përfaqësojnë të djathtën në Parlament kanë deklaruar papajtueshmërinë e tyre me çdo nostalgji për fashizmin. Në Itali lindi një demokraci e madhe, solide, e pjekur dhe e fortë, megjithë kontradiktat e shumta, e cila në periudhën e gjatë të pasluftës mundi t’u rezistonte kërcënimeve të brendshme dhe të jashtme, duke e bërë Italinë protagoniste në proceset e integrimit evropian, perëndimor dhe shumëpalësh”, tha Meloni.

Po ashtu, Meloni tha se kjo është një ditë për të mbrojtur vlerat demokratike në Ukrainë që prej më shumë se 1 viti po përballet me pushtimin rus.

“Ne jemi në anën e lirisë dhe demokracisë, pa nëse dhe por, dhe kjo është mënyra më e mirë për të dhënë mesazhin e 25 Prillit. Me pushtimin rus të Ukrainës, liria jonë është kthyer në rrezik real”, tha Meloni.

Nuk la pa përmendur edhe partizanen Paola Del Din, për të cilën tha se pati guxim dhe trimëri që e mban edhe sot. Meloni tha se ia dedikon asaj këtë ditë që vuri dashurinë për atdheun para çdo gjëje.