Gazetari Mero Baze thotë se Sali Berisha ka pësuar “vdekje të mbështetjes politike” në jug të vendit, ndërsa këtë e lidh me pjesëmarrësit e paktë në tubimet e tij elektorale. Gjatë intervistës në rubrikën “tema e ditës” në ABC News, Baze thotë se Berisha ndihet i çorientuar kur shikon “firon” elektorale.

“Ishte një inkursion i dhimbshëm elektoral, sepse dëshmonte vdekjen e mbështetjes politike të Berishës në jug të vendit. Nëse do shikonin fotografitë, e gjithë takimeve, në rreshtin e parë janë shoqëruesit e Berishës dhe në rreshtat tjera janë mbështetësit e paktë që kanë mbetur në ato qytete.

Po të shkosh më tej, në fjalimet e tij ka një mungesë të fortë vëmendjeje për vendin ku është, për çfarë po flet, për emrin e kandidatit, atë të Përmetit e terrorizoi, sepse i ngatërroi emrin disa herë. Ishte në jug dhe fliste për kandidatët e veriut dhe kishte një çorientim, që në fakt ai është njeri emocional, duke parë mungesën e mbështetje reflektonte një lloj disfatizmi në ato inkursione elektorale”, tha Baze.

Duke parë zhvillimet politike dhe numrat në terren, gazetari Baze shtoi se Berisha do marrë një rezultat të dobët. Ai shtoi se Berisha nuk do ta kalojë lumin Mat, duke lënë të kuptohet se mund të fitojë në ndonjë prej bashkive në zonën e veriut, por se në jug , nuk sheh sinjale, lidhur dhe nga pjesëmarrësit në takimet elektorale.

“Unë nuk do ta ndaj Shqipërinë në jug e veri, por unë besoj se Berishës jo vetëm që nuk do zbret në jug, por do të nuk do zbresë në Tiranë, por do mbetet mbi lumin Mat. Përjashto ndonjë aksident elektoral, që mund të ndodh jo për arsye politike, por për ndonjë arsye konjukturale. Berisha nuk e zbret dot lumin Mat poshtë”, tha ai.